Arbëri

Mjeku: Këtë vit rritja e vlerave të manganit në Badoc ndodhi më herët

Zëdhënësja e KRU “Prishtinës”, Arjeta Mjeku, ka thënë se rritja e përqendrimit të manganit në Liqenin e Badocit është dukuri natyrore, e që ndodh edhe në liqene tjera nëpër botë. Por, ajo ka thënë se këtë vit ka ndodhur më herët se dy vitet e kaluara. 

“Është dukuri hemiotermike, natyrore, ndodh jo vetëm në liqene tona, por në mbarë botën. Ndodh kur ka ndërrim të stinëve. Shpresoj të mos zgjasë sa ka zgjatur viteve të tjera. Kësaj radhe ndodhi më herët më 1 shtator. Në vitin 2023 dhe 2024 ndodhi në muajin tetor”, ka thënë Mjeku në emisionin “Sot” në KTV.

Mjeku ka thënë se nga IKSHPK e Ministria e Shëndetësisë është rekomanduar të zvogëlohet prodhimi i ujit nga Badoci dhe të ruhet cilësia. E po ashtu po bëhet shpëlarja e linjave sekondare dhe magjistrale. 

Ajo ka thënë se nuk janë vlerat alarmante, por s’bën të përdoret për pije deri te një njoftim i radhës. 

“Me rëndësi për popullatën të mos pinë ata që furnizohen nga Badoci. Kemi pasur shumë pyetje nga banorët e lagjes ‘Ulpiana’, se nga cili liqen furnizohen. Ata furnizohen në mënyrë të përzier nga Shkabaj dhe Batllava”, tha Mjeku.

Sa i përket rritjes së vlerave të manganit në Badoc, Mjeku, ka thënë se në fund të majit dhe qershor të vitit 2024 kanë pasur takim dhe është bërë kërkesë te Instituti i Kimisë që të hulumtohet shkaktari konkret i shfaqjes së manganit në Badoc. Por, ajo ka thënë se nuk kanë marrë përgjigje ende. 

Mjeku ka thënë se në vitet ’60 dhe ’70  vetëm rreth 39 mijë banorë furnizoheshin me ujë nga Badoci, ndërsa tash është dhjetëfishuar kjo shifër. 

Në emisionin “Sot”, Mjeku ka folur edhe për kyçjet ilegale. Ka thënë se brenda një muaji janë bërë 300 shkyçje. 

“Kjo është vjedhje e ujit, dënohet sipas kodit penal të Republikës së Kosovës madje me burg deri 3 vjet. Gjitha këto lëndë janë dërguar në gjykatat kompetente”, tha Mjeku.