Vlera e manganit në liqenin e Badocit vazhdon të jetë mbi normat e lejuara, duke e bërë ujin e papijshëm. Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik thanë se për shkaqe klimatike, nuk pritet që situata të ndryshojë as në 10 ditët e ardhshme. E qytetarët që po detyrohen të blejnë ujë të ambalazhuar, thanë se kostoja e jetës u është rënduar
Tjetër pamje merr uji kur në të rritet vlera e manganit, përtej standardeve të vendosura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Mjekja Burbuqe Nushi-Latifi, e cila është koordinatore e Qendrës së Ujit në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, shpjegon se në këtë situatë ndodhet edhe Liqeni i Badocit, nga i cili furnizohet me ujë të pijshëm një pjesë e rajonit të Prishtinës. Ajo tha se ndryshimet klimatike dhe mungesa e reshjeve kanë ndaluar qarkullimin natyral të ujit në liqe, e për pasojë vlerat e manganit mbeten të larta.
“Edhe dinamika e liqenit shkon paralel me këto ndërrime dhe nuk ka lëvizshmëri të ujit. Për këtë është koncentrimi i manganit dyvalent, shumë më i madh se i atij katërvalent. Pra, sa do të zgjasë, tek do të zgjasë, në bazë të informacioneve meteorologjike që i kemi edhe nja 10 ditë nuk kemi shi e as erëra e as asgjë”, ka thënë Nushi-Latifi.
Për të parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen, ajo thotë se duhet të bëhet përmasimi në infrastrukturën e liqenit.
Tash e 3 javë shumë qytetarë po furnizohen me ujë nga autobotet, meqë i liqenit të Badocit është i papijshëm. E ata që e blejnë ujin për pije thonë se po ua rëndon buxhetin.
“Zakonisht unë si person i konsumoj 2 litra ujë brenda ditës... kështu që blerjet janë sepse tash edhe produktet ushqimore janë rritur... kështu që është edhe problem financiar”, ka thënë Sadbere Kamberi, një nga qytetarët që detyrohet ta blejë ujin.
E në kompaninë rajonale të ujësjellësit “Prishtina”, kanë treguar për masat që janë ndërmarrë për të tejkaluar gjendjen.
“Jemi duke bërë pastrimin dhe shpëlarjen e linjave magjistrale dhe sekondare, në mënyrë që të mos mbetet sasi e manganit në tubacione primare dhe sekondare. Uji mbetet i papijshëm. Do të marrim masa të tjera që herëve të tjera të mos kemi probleme të tilla”, ka thënë Arjeta Mjeku, zëdhënëse e KRU “Prishtina”.
Aktualisht në liqe sasia e manganit në ujë të patrajtuar është 0.08 miligramë për litër, ndërsa tek uji i trajtuar 0.03 miligramë për litër.
Disa prej efekteve potenciale të përdorimit të ujit me përmbajtje të lartë të manganit janë problemet në sistemin e tretjes, ato në sistemin nervor, dëmtimet e shëndetit të fëmijëve dhe problemet me zemrën.