Arbëri

Misioni Vëzhgues i BE-së e vlerëson problem serioz mungesën e transparencës për financimin e fushatës gjatë zgjedhjeve

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, takoi anëtaren e Parlamentit Evropian, njëherësh kryesuese e Misionit Vëzhgues të Bashkimit Evropian në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit në Kosovë, Viola Von Cramon-Taubadel.

Në kumtesën për media, thuhet se Konjufca dhe europarlamentarja Von Cramon-Taubadel diskutuan për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit të kaluar dhe ecurinë e tyre.

Problem serioz të këtyre zgjedhjeve, Von Cramon-Taubadel potencoi mungesën e transparencës për financimin e fushatës.

Duke falënderuar misionin e BE-së për kontributin e tyre në mbarëvajtjen e këtij procesi, edhe pse në cilësi të vëzhguesit, kryeparlamentari Konjufca theksoi se organizimi i zgjedhjeve në Republikën e Kosovës tashmë ka arritur një nivel të kënaqshëm, dëshmia më e mirë të cilit është vet pranimi i rezultatit zgjedhor nga të gjitha subjektet politike garuese.

“Kryesuesja e këtij misioni, Von Cramon-Taubadel, theksoi në mënyrë të veçantë faktin se zgjedhjet, duke marrë parasysh afatin e shkurtër kohor për t'u përgatitur, kanë qenë demokratike, të organizuara dhe të përgatitura shumë mirë”, theksohet në komunikatë.

Tutje, thuhet se ajo tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë punë shumë të mirë, duke përgatitur në kohë materialet, gjë që duhet theksuar për shkak të kompleksitetit të procesit.