Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Miratohet Plani i Rritjes, Kosova do të përfitojë 882 milionë euro

Kuvendi 13 shkurt

Foto: Driton Paçarada

Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjet ndërkombëtare me Bashkimin Evropian, të njohur si Plani i Rritjes, e që parashohin përfitime prej më shumë se 880 milionë eurosh për Kosovën.

Siç ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati, ky plan vjen me 1/3 si grant dhe 629 milionë euro në formë të kredisë. Ai ka thënë se këto mjete zhbllokohen bazuar në reformat që i zbaton Kosova.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kuvendi e miratoi me 104 vota pro marrëveshjen. 5 deputetë të Listës Serbe abstenuan.

Foto: Driton Paçarada

Bashkimi Evropian e pati miratuar për Ballkanin Perëndimor pakon prej 6 miliardë eurosh në fund të 2023-s. Për shkak të bllokadës në Kuvend, ajo ka ngecur tash e sa muaj.

Këto para janë miratuar për periudhën 2024-2027.

Kuvendi ka miratuar edhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare, përfshirë atë me Bankën Botërore rreth 90 milionë euroshe për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër. Kjo marrëveshje parasheh kthimin e mjeteve për 12 vjet, pa kamatë. Ajo u miratua në ditën e fundit të afatit të lejuar.

Bashkimi Evropian e ka mirëpritur ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

“Kjo i hapë rrugë Kosovës që të përfitojë nga 882 milionë eurot në grante dhe kredi të favorshme, të orientuara drejt zbatimit të reformave që e çojnë përpara Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian”, u tha në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Edhe presidentja Vjosa Osmani duke uruar për kalimin e marrëveshjeve, ka thënë se kur veprohet bashkë, Kosova fiton gjithmonë.

“Përgëzoj deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat hapin rrugë për rreth 1.1 miliardë euro investime dhe grante për vendin tonë. Këto marrëveshje sjellin më shumë mundësi për të rinjtë, më shumë mbështetje për familjet, më shumë investime për bizneset, si dhe më shumë cilësi në shëndetësi, arsim, sundim të ligjit e më shumë zhvillim. Janë investime që do të ndihen drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve tanë.  Kur veprojmë bashkë, Kosova gjithmonë fiton. Dhe sot, Kosova fitoi”, ka shkruar Osmani.