Opozita ka bashkuar votën me deputetët e partive në pushtet, për të miratuar marrëveshjet ndërkombëtare me ndikim financiar. Pesë sosh u ratifikuan në Kuvend, përfshirë edhe marrëveshja me BE-në për Planin e Rritjes prej 882 milionë euro që ndahen për Kosovën në formë të granteve dhe kredive të favorshme. Në votim abstenuan ligjvënësit e Listës Serbe
Pesë marrëveshje ndërkombëtare në vlerë mbi 1 miliard euro u ratifikuan nga Kuvendi në seancën e mbajtur të premten. Në mesin e tyre është edhe ajo për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian nga e cila Kosova përfiton 882 milionë euro në formë të granteve dhe kredive të favorshme.
Zbatimi i marrëveshjeve kanë mbetur peng i mosratifikimit në Kuvend për shkak të bllokadës politike përgjatë një viti. Njëra nga to, që është në vlerë të 90 milionë eurove dhe është e lidhur me Bankën Botërore, ka pasur afat të fundit për ratifikim pikërisht këtë të premte.
Për rrjedhojë, kjo dhe të gjitha marrëveshjet u shqyrtuan me procedurë të përshpejtuar, pasi u shmangën afatet procedurale të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit.
Marrëveshjet u miratuan me dakordim të të gjitha grupeve parlamentare, me përjashtim të Listës Serbe e cila abstenoi.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, kërkoi nga Ekzekutivi që të sqarojë se ku do të shkojnë 882 milionët e përcaktuar nga Plani i Rritjes.
E ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se ky plan vjen me 1/3 si grant dhe 629 milionë euro në formë të kredisë. Ai ka thënë se këto mjete zhbllokohen bazuar në reformat që i zbaton Kosova.
Murati ka treguar po ashtu se marrëveshjet me Bankën Botërore janë ndër më të favorshmet për vendin, pasi kanë normë interesi zero për qind.
Për shtetet e Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian e ka miratuar pakon prej 6 miliardë eurosh në fund të 2023-s. Këto mjete do të zhbllokohen bazuar në reformat që i zbaton Kosova. Ato janë të parapara për periudhën 2024-2027.
GLPS-ja rekomandon veprime të shpejta
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka bërë thirrje për veprime të menjëhershme të autoriteteve të Kosovës në mënyrë që të përfitohet nga ky Plan.
Për shkak të vonesave të deritashme, sipas GLPS-së afatet veçse kanë nisur të rrjedhin. Kjo organizatë ka bërë thirrje që Qeveria të vazhdojë menjëherë me themelimin e Komitetit për Monitorimin e Zbatimit të Planit të Rritjes dhe emërimin e një koordinatorit kombëtar, për të siguruar ekzekutimin e parapagesës prej 7% të totalit, përkatësisht 61.8 milionë euro.
“Tashmë nuk ka asnjë pengesë legjislative dhe veprimi i menjëhershëm është thelbësor për zbatim e suksesshëm të Agjendës së Reformave brenda afateve të parapara”, thuhet në një reagim të GLPS-së.
GLPS-ja ka alarmuar se afatet primare për raportimin e tre semestrave veçse kanë përfunduar dhe se po afrohen afatet e grejs periudhës. Për të përfituar rreth 90 milionë euro, GLPS-ja ka rekomanduar shtysë serioze nga Qeveria dhe Kuvendi. Masat reformuese kanë afat deri më 30 qershor. Bëhet fjalë për 13 masa.
Për të mbërritur të përfitohet nga këto mjete, GLPS-ja ka rekomanduar themelimin e një task-force për koordinim në shërbim të zbatimit të menjëhershëm të masave. Kjo organizatë ka bërë thirrje për unifikim të spektrit politik.
“Kjo është jetike, sepse me zbatimin e tyre, nga njëra anë vendi ynë përfiton financiarisht, ndërsa nga ana tjetër përafrojmë kuadrin ligjor, politik dhe administrativ me acquis të BE-së. Pas një viti të humbur me përplasje politike, tani është momenti për reforma të shpejta dhe të vendosura”, thuhet në reagimin e GLPS-së.
Edhe presidentja Vjosa Osmani duke uruar për kalimin e marrëveshjeve, ka thënë se kur veprohet bashkë, Kosova fiton gjithmonë.
“Përgëzoj deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat hapin rrugë për rreth 1.1 miliardë euro investime dhe grante për vendin tonë. Këto marrëveshje sjellin më shumë mundësi për të rinjtë, më shumë mbështetje për familjet, më shumë investime për bizneset, si dhe më shumë cilësi në shëndetësi, arsim, sundim të ligjit e më shumë zhvillim. Janë investime që do të ndihen drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve tanë. Kur veprojmë bashkë, Kosova gjithmonë fiton. Dhe sot, Kosova fitoi”, ka shkruar Osmani.
Edhe Bashkimi Evropian e ka mirëpritur ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.
“Kjo i hapë rrugë Kosovës që të përfitojë nga 882 milionë eurot në grante dhe kredi të favorshme, të orientuara drejt zbatimit të reformave që e çojnë përpara Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian”, është thënë në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Nëse nuk kryhen reformat atëherë shuma u shpërndahet vendeve të tjera
Plani gjashtëmiliardësh i planifikuar për gjashtë vendet ka për qëllim përshpejtimin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht forcimi i një tregu i përbashkët rajonal, i integruar gradualisht me atë të BE-së. Ai është prezantuar në nëntor të vitit 2023, dhe parasheh që dy miliardë euro të jenë fonde të pakthyeshme, ndërsa katër miliardët tjerë të jepen në formën e kredive të volitshme.
Nga secili vend është paraparë përgatitja e një agjende reformuese, të bazuar në rekomandimet paraprake të trupave të BE-së, para vlerësimit dhe miratimit të saj nga Komisioni Evropian.
Reformat në fushën e rendit dhe të sundimit të ligjit janë thelbësore për të përfituar mjete nga ky Plan.
Pritjet janë që Parlamenti Evropian t’i finalizojë të gjitha procedurat deri në prillin e sivjetmë, për të mundësuar lëshimin e fondeve sa më shpejt.
Pagesat parashihen të bëhen dy herë në vit, varësisht prej rezultateve në përmbushjen e kritereve.
BE-ja ka thënë se fondet, në parim, do të ndahen varësisht prej Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të një vendi. Por, nëse një vend nuk i kryen reformat pas 1-2 vjetëve, atëherë shuma u shpërndahet vendeve të tjera.
Një grup i Bankës Botërore ka vlerësuar se një treg i përbashkët rajonal do të mund të rriste PBB-në e rajonit për 10 për qind.
E për BE-në, një treg i tillë është thelbësor, për dy arsye: zhbllokon potencialin ekonomik të rajonit
si dhe krijon mundësi për kompanitë vendore, duke e bërë rajonin më atraktiv për investitorët evropianë.
Nga lëvizja e mallrave pritet të zvogëlohet koha e pritjes për tri orë, çka më pas do ta ulte edhe koston e tarifave për 2 për qind.
Lehtësime pritet të ketë edhe për të rinjtë që të studiojnë në bllok, ndërsa parashihet edhe heqja e tarifave për roming për telefoninë mobile dhe internetin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.