Gati 6 vjet pas vdekjes në rrethana ende të pasqaruara të aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, kanë dalë në pah detaje të reja.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka ngritur pretendime se xhirimet e asaj dite nga kamerat e sigurisë ishin nxjerrë jashtëligjshëm.
“Është e rëndësishme të theksohet se sipas Inspektoratit, incizimet e kamerave të sigurisë nga kryeinspektori i MD-së dhe zyrtarët e SHKK, janë marrë para se ato t’i merrte Policia, nga data 5 kur ka ndodhur rasti, dhe datat 6, 7 nëntor 2016. Pra, është e çuditshme se si zyrtarët korrektues dhe kryeinspektori i MD-së i kanë marrë kamerat e sigurisë para organeve të ndjekjes. Sipas legjislacionit në fuqi, në rast të ndonjë veprimi me elemente të natyrës penale, autoriteti kompetent për marrjen e incizimeve është policia”, tha Haxhiu.
Ministrja Haxhiu ka thënë se ka pranuar raportin e Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë rreth zbatimit të procedurave brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës në lidhje me rastin e vdekjes së Astrit Deharit.
Ajo ka folur edhe për procedurat e transferimit të dëshmitarit tashmë të vdekur Naser Makolli.
“Është, po ashtu, e çuditshme dhe e paprecedent që dëshmitari kryesor në rastin e A.D., Naser Makolli, është transferuar më datë 9 dhjetor në Lipjan, ku paraprakisht ne qendrën e njëjtë ishin transferuar edhe oficerët me masën disiplinore të transferimit. Me fjalë të tjera, po i bie që në Qendrën në Lipjan janë transferuar edhe zyrtarët përgjegjës e po ashtu edhe dëshmitari kryesor Naser Makolli, me ç’rast dëshmitari kryesor kishte ndërruar jetë po aty”, tha Haxhiu.
Haxhiu ka folur për 2 raporte të ndryshme të Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, dhe ka ngritur dyshime që në këtë rast mund të ketë falsifikim e manipulim.
“Këto dy raporte janë të nënshkruara nga kryeinspektori Ylber Topalli, ku raportin e datës 14, ky i fundit e mohon që është i shkruar nga ai dhe rrjedhimisht e konteston si të tillë. Dhe tani u takon organeve të ndjekjes që ta zbardhin nëse ky raport është i falsifikuar, nëse po, nga kush, apo nëse kryeinspektori nuk po e thotë të vërtetën”, tha Haxhiu.
Astrt Dehari ka vdekur në nëntorin e 2016-s, derisa ndodhej në paraburgim nën dyshimin se ishte pjesë e një grupi që kishin hedhur një granatë në drejtim të ndërtesës së Kuvendit. Prokuroria Speciale ende nuk ka dalë me përfundim nëse behët fjalë për vrasje apo vetëvrasje.
Lëvizja Vetëvendosje sa ishte në opozitë, pati premtuar zbardhjen e këtij rasti.