Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ministria për rënien e përfituesve të shtesave për fëmijë: Nuk nënkupton domosdoshmërisht keqpërdorim

andin hoti

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka reaguar lidhur me uljen e numrit të përfituesve të shtesave për fëmijë.

Në një komunikatë për  media thuhet se numri i përfituesve në kuadër të Programit të Shtesave për Fëmijë është dinamik dhe ndryshon në vazhdimësi, si rezultat i zbatimit të kritereve të përcaktuara për këtë program dhe përditësimit të të dhënave të përfituesve.

Sipas komunikatës, në këto ndryshime ndikojnë një sërë faktorësh, përfshirë përfshirjen e fëmijëve të rinj në program, arritjen e moshës 16-vjeçare, ndryshimin e rrethanave të përfituesve, përditësimin dhe harmonizimin e të dhënave me regjistrat institucionalë, si dhe proceset e rregullta të verifikimit të përmbushjes së kritereve.

Tutje theksohet se në rastet kur gjatë administrimit të programit nevojiten verifikime shtesë, pagesa mund të suspendohet deri në përfundimin e procedurave përkatëse. 

“Suspendimi gjatë procesit të verifikimit nuk nënkupton automatikisht largim përfundimtar nga programi apo konstatim të keqpërdorimit. Të gjitha vendimet lidhur me vazhdimin apo ndërprerjen e përfitimit merren në bazë të kritereve dhe procedurave të përcaktuara me aktet në fuqi, duke respektuar edhe të drejtat procedurale të palëve”, thuhet në njoftim.

Sipas Ministrisë, diferenca ndërmjet numrit të përfituesve në muaj të ndryshëm nuk mund të konsiderohet në tërësi si numër i personave që kanë keqpërdorur programin dhe as të përkthehet automatikisht në dëm financiar. 

“Çdo rast trajtohet dhe verifikohet individualisht, ndërsa aty ku eventualisht konstatohet përfitim i pabazuar, veprohet në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet tutje në njoftim.

 Për saktësisht 31 mijë e 553 është ulur numri i fëmijëve që marrin shtesa mujore nga shteti, nga muaji prill sivjet deri në gusht.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në muajin gusht shtesat e fëmijëve 0-16 vjeç i kanë marrë 374 mijë e 382 fëmijë. Në prill, shifra ka qenë 405 mijë e 935.

Lexo përditësimet tjera
Shkolla

30 mijë fëmijë më pak në listat e shtesave në krahasim me prillin

Për saktësisht 31 mijë e 553 është ulur numri i fëmijëve që marrin shtesa mujore nga...