Arbëri

MASHTI e Instituti Albanologjik përplasen për çështjen e emërimit të u.d. së drejtorit

Ministria e Arsimit

Foto: Alban Bujari

(Përditësuar, 17:11) - Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) e ka quajtur juridikisht të pavlefshme dhe në kundërshtim me rregulloren në fuqi, vendimin e Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik të Kosovës të marrë më 20 qershor për të emëruar ushtruesin e detyrës së drejtorit të këtij institucioni. 

MASHTI ka thënë se në mbledhjen e 20 qershorit ishin të pranishëm vetëm tre anëtarë, ndërsa për vendimmarrjen e Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik duhet të jenë të pranishëm katër anëtarë nga pesë sa i ka Këshilli. 

“Në mbledhjen e datës 20 qershor, ishin të pranishëm vetëm tre anëtarë, prandaj çdo vendim i marrë është juridikisht i pavlefshëm dhe në kundërshtim me rregulloren në fuqi. Institucione me rëndësi të veçantë kombëtare si Instituti Albanologjik nuk mund të shndërrohen në platforma për emërime të paligjshme apo përpjekje për shfrytëzim të pozitave për interesa personale apo politike. Integriteti i tij shkencor dhe ligjor është në funksion të avancimit të kërkimit, ruajtjes së trashëgimisë kombëtare dhe respektimit të standardeve akademike”, thuhet në reagimin e MASHTI-t. 

MASHTI ka thënë se ka kërkuar vazhdimisht që të shpallet konkursi për drejtor të rregullt të Institutit, porse ky proces është zvarritur për më shumë se një vit dhe se konkursi ende nuk është shpallur. 

“Ministria e konsideron këtë vonesë të pajustifikueshme dhe, përmes Zyrës së saj Ligjore, do ta trajtojë këtë çështje, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për kthimin e ligjshmërisë dhe zbatimin e ligjit në përpikëri. MAShTI mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e rendit ligjor, funksionimin transparent dhe respektimin e normave akademike në të gjitha institucionet që veprojnë në fushën e arsimit dhe shkencës. Ftojmë të gjithë kolegët, anëtarët e komunitetit akademik dhe publikun të qëndrojnë bashkë në ruajtjen e vlerave që e mbajnë të shëndetshme dhe funksionale jetën akademike e institucionale në vend”, thuhet nga MASHTI. 

E nga Instituti Albanologjik ka thënë se caktimi i ushtruesit të detyrës së drejtorit është kompetencë ekskluzive të Këshillit Drejtues dhe gjatë periudhës 2024-2025  janë emëruar tre ushtrues detyre dhe se në asnjërin rast anëtarët e emëruar nga MASHTI nuk e kanë kontestuar procedurën dhe nuk kanë kërkuar materiale paraprake. 

“Në përputhje me nenin 29 të Statutit të Institutit dhe nenin 6.8 të Rregullores së Këshillit Drejtues, caktimi i ushtruesit të detyrës së drejtorit është kompetencë ekskluzive e Këshillit Drejtues, mbi bazën e propozimit të Këshillit Shkencor dhe me votim të shumicës së anëtarëve. Kjo është një procedurë e brendshme institucionale, e rregulluar qartë në aktet e Institutit, ku MAShTI nuk ka rol vendimmarrës, por vetëm informohet pas vendimit. Ndërhyrjet ose komentet mbi ligjshmërinë e kësaj procedure nga jashtë institucionit nuk kanë bazë ligjore”, thuhet në reagimin nga Instituti. 

Sipas Institutit mbledhja e datës 20 qershor ishte e vlefshme  në përputhje me Ligjin Nr. 04/L-135 për Veprimtari Kërkimore-Shkencore, Statutin e Institutit Albanologjik, Rregulloren e Punës së Këshillit Drejtues dhe Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative, pasi në mbledhje morën pjesë tre anëtarë me të drejtë vote dhe sekretari shkencor në cilësi të kryesisht të mbledhjes, pa të drejtë vote. 

“Mbledhja e datës 20.06.2025 është e vlefshme; Kuorumi është i përmbushur në aspektin formal dhe material; Vendimi për caktimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit është i ligjshëm dhe procedurat janë respektuar në përpikëri. Çdo tendencë për të ndërhyrë në një proces të rregullt dhe të ligjshëm, si dhe në kompetencat e rezervuara të Këshillit Drejtues, sipas Ligjit, Statutit dhe Rregullores, përbën shkelje të dispozitave në fuqi dhe do të na detyrojë të ndërmarrim veprimet e nevojshme ligjore përmes institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës”, thuhet nga Instituti.  
 

 


Ministria do ta shqyrtojë vendimin për emërimin e u.d. të drejtoreshës në Institutin Albanologjik

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar të martën se do ta shqyrtojë vendimmarrjen e Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik të 20 qershorit, në të cilën është caktuar ushtruesja e detyrës së drejtorit të këtij instituti.

Në një reagim në Facebook, MASHTI ka thënë se nga dy anëtarë të Këshillit Drejtues ka marrë njoftim zyrtar se kanë kërkuar shtyrjen e kësaj mbledhjeje në mungesë të materialit paraprak për shqyrtim, por se ajo është mbajtur gjithsesi. Në njoftim të MASHT-it thuhet se sipas njoftimit të këtyre anëtarëve, nuk ka pasur kuorum për marrjen e vendimeve nga KD-ja.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton opinionin publik se dje, me datë 23.06.2025, pa pasur një njoftim paraprak, përmes emailit zyrtar ka pranuar njoftimin nga Instituti Albanologjik se më datë 20.06.2025 është mbajtur mbledhja e Këshillit Drejtues. Në këtë mbledhje, përveç pikave të tjera, është vendosur për caktimin e u.d. drejtorit të Institutit Albanologjik – Prishtinë. Gjithashtu, MAShTI ka pranuar njoftimin zyrtar dhe shqetësimin e dy anëtarëve të Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik. Ata kanë njoftuar zyrtarisht Ministrinë se, në mungesë të materialit paraprak për shqyrtim, kanë kërkuar shtyerjen e kësaj mbledhjeje. Përkundër kësaj kërkese, ata janë të informuar se mbledhja është mbajtur, dhe sipas njoftimit, nuk ka pasur kuorum për vazhdimin e saj dhe për marrjen e vendimeve të ligjshme nga Këshilli Drejtues”, thuhet në njoftim të Ministrisë.

Kjo ministri ka shtuar se pas pranimit të të gjitha informatave dhe dokumenteve zyrtare, do ta shqyrtojë vendimmarrjen dhe do të njoftojë institucionet e zyrtarët përgjegjës.

Ndërkaq në njoftimin e Institutit Albanologjik e 20 qershorit, u tha se pas propozimit të Këshillit Shkencor, Këshilli Drejtues e ka caktuar Meliza Krasniqin, ushtruese detyre e drejtoreshës së Institutit Albanologjik. Krasniqi tek ka falënderuar Këshillat për besimin dhe mbështetjen ka thënë se do ta ushtrojë këtë detyrë deri në zgjedhjen e drejtorit të ri “duke vazhduar me përkushtim punën kërkimore dhe institucionale”.

E Bashkim Lajçi, anëtar i Këshillit Drejtues, po më 20 qershor pati kundërshtuar vendimin duke thënë se sipas rregullores së punës së KD-së së Institutit përcaktohet që për mbajtjen e mbledhjeve nevojitet kuorumi prej katër anëtarëve, e se sipas tij, në mbledhje kanë marrë pjesë tre anëtarë.

“Rrjedhimisht, legjitimiteti i asaj mbledhjeje dhe çdo vendimi të marrë prej saj është juridikisht i pavlefshëm, pasi është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me rregulloren në fuqi. Në cilësinë time si anëtar i Këshillit Drejtues, por edhe si studiues, konsideroj se interesi ynë i përbashkët duhet të jetë avancimi shkencor, nxitja e hulumtimeve të reja dhe respektimi i integritetit akademik”, ka shkruar ai në Facebook tek pati paralajmëruar ankesën në Ministrinë e Arsimit.