Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Milionat përtokë

Janë salla sportesh, qendra të mjekësisë familjare, zyra të bashkësisë lokale e objekte të ndryshme të cilat janë ndërtuar, funksionalizuar, por që me kalimin e kohës komunat ua kanë kthyer shpinën. Këto objekte hyjnë në kategorinë e investimeve kapitale, ndër kategoritë më të mëdha të shpenzimeve buxhetore. Në nivel komunal, nga viti 2017 deri më 2021, në vit shpenzoheshin mesatarisht 157 milionë euro për këto investime

Filloristët e “Selman Rizës” në Fushë-Kosovë kanë sallë, por nuk luajnë në të. Gjatë ditëve të dimrit, orët e edukatës fizike i mbajnë në klasa ose në oborrin e përbaltur të shkollës.

Salla sportive nuk është e gatshme për lojë edhe më shumë se tre vjet pas fillimit të punimeve.

Megjithëkëtë, dyert e saj janë të hapura përherë. Kushdo mund të hyjë e të dalë.

Dyert e hyrjes janë thyer, sikurse edhe lavamanët e guacat e tualeteve. Në dysheme nuk ke se ku të shkelësh. Është e vërshuar nga mbetje fekalesh njerëzish e kafshësh. Edhe laminati është hedhur përtokë në sallën sportive, për të cilën nuk ka kush të kujdeset. Punimet janë lënë në gjysmë nga kontraktuesi që po përballet në gjykatë me Komunën për moskryerjen e detyrimeve financiare. Filloristët e ndërrimit të paradites kalojnë kohën jashtë në këndin e lojërave, nën hijen e pishave në një ditë shkurti me diell.

Pa planifikim të mirëfilltë

Edhe Kërkohet përgjegjësi institucionale për kushtet në Pediatri Arbëri 1 j. më parë Kërkohet përgjegjësi institucionale për kushtet në Pediatri

Vlonjat Hasani, asamblist i Vetëvendosjes në qytezën e rrafshët, thotë se gjendja ka ardhur në këtë derexhe për shkak të mungesës së planifikimit dhe monitorimit të punimeve nga Komuna e udhëhequr prej Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Realisht nevojat e qytetarëve, nevojat e përgjithshme janë evidente për investime kapitale në shumë fusha”, thekson Hasani para sallës së sporteve. Ai thotë se udhëheqja komunale ka investuar në investime kapitale, por projektet përveçse “janë keqplanifikuar, janë keqmenaxhuar, dhe për momentin janë jashtë funksionit”.

Në fakt, kjo është vetëm njëra prej investimeve kapitale ku qindra mijëra euro po rrezikojnë të shkojnë dëm për shkak të papërgjegjësisë së institucioneve komunale. Në raportin e Institutit GAP faktohet se me miliona euro kanë shkuar dëm nëpër të gjitha qytetet nga pushtetet komunale.

Janë salla sportesh, qendra të mjekësisë familjare, zyra të bashkësisë lokale e objekte të ndryshme të cilat janë ndërtuar, funksionalizuar, por që me kalimin e kohës komunat ua kanë kthyer shpinën.

Këto objekte hyjnë në kategorinë e investimeve kapitale, ndër kategoritë më të mëdha të shpenzimeve buxhetore. Në nivel komunal, nga viti 2017 deri më 2021, në vit janë shpenzuar mesatarisht 157 milionë euro për këto investime, spikat raporti i GAP-it.

Bekim Salihu, autor i raportit të GAP-it, thotë se komunat nuk planifikojnë fazën pas kryerjes së investimeve kapitale në objekte.

“Pra mosplanifikimi i duhur nuk ka të bëjë vetëm me fushën e shëndetësisë, por ka të bëjë, ta zëmë, edhe në fushën e arsimit, edhe në fushën e administratës, edhe në fusha të tjera”, thekson Salihu, duke shtuar se ka raste kur janë ndërtuar edhe objekte shkollore në vlerë prej dy milionë eurosh dhe pastaj është mësuar se parcela ishte pronë private.

Projekte sa për të neutralizuar “presionin publik”

Burim Berisha, kryetar i Fushë-Kosovës, ka thënë se punktet ambulantore janë ndërtuar nëpër fshatra në kohën kur “ka qenë presioni publik për të bërë në secilin katund nga një ambulancë, para disa vjetësh”. Ai ka treguar se objektet janë ndërtuar me grante të Ministrisë së Shëndetësisë. Por punktet shëndetësore më nuk po funksionojnë dhe kanë nisur të shkatërrohen.

“Në Bardh të Vogël jo vetëm ambulanca, por edhe objekti i shkollës është mbyllur, sepse numri i popullsisë ka rënë shumë nëpër katunde dhe tani është e pamundur që të funksionojnë”, ka thënë ai. “Ato kanë qenë funksionale në një kohë të caktuar dhe pastaj s’ka pasur pacientë dhe kanë mbetur të mbyllura”.

Gjatë viteve sa kishte funksionuar, punkti ambulantor ua kishte lehtësuar mundimin banorëve të Bardhit të Vogël të Fushë-Kosovës. Sidomos të moshuarve.

“Kemi nevojë për mjekë, kemi nevojë bile për këto elementare, por nuk ka kurrgjë”, thekson Hysni Krasniqi, banor i Bardhit të Vogël para objektit të demoluar.

Ai thotë se objekti është thyer dhe është plaçkitur, pasi që Komuna iu tha banorëve se më nuk do të dërgonte mjekë e infermierë shkaku i mungesës së buxhetit dhe resurseve njerëzore.

“Kjo do të ishte më se e nevojshme, sidomos për ne të moshuarit, mirëpo s’ka”, shton Krasniqi, 73 vjeç.

Qëndrim Arifi, hulumtues i lartë në INPO, organizatë joqeveritare që monitoron planifikimin dhe zbatimin e projekteve komunale, nuk habitet me përfundimin e investimeve milionëshe në të tilla gjendje. Ai thotë se edhe gjatë diskutimeve me qytetarët, projektet po realizohen nga komunat pa marrë parasysh prioritetet e qytetarëve.

Në kundërshtim me nevojat e qytetarëve

“Pra, nëse mund të them, komunat më shumë interesohen që të lënë projekte më me nam, pra të mbahen mend për aso projektesh pa u shqetësuar shumë se këto projekte a janë shumë të nevojshme për qytetarët”, thekson Arifi.

Edhe Mosevidentimi në platformën shtetërore ngre dyshime për keqmenaxhim të aseteve në SHSKUK Arbëri 1 muaj më parë Mosevidentimi në platformën shtetërore ngre dyshime për keqmenaxhim të aseteve në SHSKUK

Ngjashëm si në Bardh të Vogël, askush nuk po kujdeset më as për objektin tjetër të mjekësisë familjare në fshatin tjetër të Fushë-Kosovës, Graboc. Banorët e lagjes në afërsi thonë se hall më të madh e kanë mungesën e ujit të pijshëm, pasi që ende nuk janë zgjatur tubat përgjatë rrugës para shtëpive.

Investimet pa një plan të mirëfilltë e pa konsultim të hollësishëm me komunitetin spikaten edhe në raportin e GAP-it, por i thekson edhe Arifi i INPO-s.

“Shumica e projekteve nuk u përputhen nevojave reale të qytetarëve”, ka thënë ai.

Krasniqi, duke treguar për vullnetarizmin e fshatit para luftës, kur me forcat e veta ndërtoi shkollën fillore, shqetësim më të madh e ka mbylljen e objektit të shkollës paralele. Fëmijët tashmë dërgohen me një minibus të kontraktuar nga Komuna në shkollën e Sllatinës fqinje.

“Iu dok pak ambulanca, e mbyllën edhe shkollën që e kemi ndërtuar me kontributet tona si fshat, jo me kontribut të shtetit”, thekson Krasniqi.

Edhe dyert e xhamat e shkollës së mbyllur, së cilës pasluftës Komuna ia shtoi një aneks, ishin thyer, por u riparuan në prag të zgjedhjeve të fundit. Fshati ndërtoi me paratë e mbledhura edhe objektin për pritjen e të pameve, që ndodhet para oborrit të punktit të shkatërruar ambulantor. Gjendja e tij dallon krejtësisht. Kujdesemi vetë”, thotë Krasniqi.

“Projektet nisen për t’u mbajtur mend”, menaxhohen shkel e shko

Në vazhdimësi, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportet vjetore gjen mangësi gjatë hartimit dhe realizimit të projekteve kapitale nëpër komuna, duke filluar nga aspekti i planifikimit të punëve, zotimit të fondeve, ndjekjes së procedurave të prokurimit e deri te menaxhimi i kontratave. Po ashtu, ky institucion konstaton se në shumë raste kontratat për investime kapitale në komuna përcillen pa kontrolle adekuate, raporte me specifika jo të qarta, si dhe me mungesë të pranimit teknik të punëve pas përfundimit të projektit.

“Projektet e mëdha nisen për t’u mbajtur mend nëse ai projekt konsolidohet në tërësi”, thekson Arifi, duke shtuar se qytetarët nuk i dinë “prapaskenat” e zhvillimit të projekteve nga faza fillestare deri te përfundimi. Por shumë prej tyre, si në rastin e sallave sportive e ambulancave të Fushë-Kosovës, lihen në gjysmë, ose lihen pas dore kur më nuk janë funksionale.

Në Miradi të Epërme filloristët e shkollës “Vëllezërit Frashëri” gjithashtu kanë sallë, por verë e dimër luajnë në fushat para shkollës.

Edhe palestra e re në oborrin e shkollës ka nisur procedurat e ndërtimit më 2018, por ende nuk është kryer. Kushdo mund të hyjë e të shkarravisë mureve të saj.

Salihu i GAP-it thotë se qytetarët nuk i dinë detajet e projekteve të lagjeve ose fshatrave të ndryshme. Ai thotë se kryetarët e shfrytëzojnë mungesën e informacioneve dhe ia dalin të rizgjidhen, si Berisha i Fushë-Kosovës, pavarësisht dështimeve në menaxhim të projekteve kapitale.

Pleqtë s’kanë ku t’i plakin ditët

Hasani, asamblisti i VV-së që vjen nga ky fshat, thotë se objekteve të mjekësisë familjare, të lëna pas dore, mund t’u ndërrohet destinimi.

“Pikërisht edhe këtë ta themi”, thekson ai. “Ka lagje dhe fshatra që kanë nevojë për çerdhe publike. Ato mund të përdoren edhe për çështje sociale ose mund të përdoren për një muze etno ose për ndonjë qendër të vogël sportive ose të ngjashme”, thekson kryetari Berisha. “Tani për tani nuk kam ndonjë zgjidhje, do të mbesin edhe më tutje ashtu siç janë”.

Krasniqi në Bardh të Vogël thotë se pleqtë nuk po kanë se ku t’i plakin ditët. Sidomos gjatë ditëve të acarta të dimrit. Objektet pa kujdes institucional do të mund të ktheheshin në hapësira të domosdoshme publike për grupmosha të ndryshme.

“Edhe shkaku i pandemisë me shku diku, edhe s’po kanë qejf”, thekson ai, duke treguar se një herë në javë takohet me shokët. “Zakonisht bahet një pazar në Bresnje, hyjmë me një çajtore aty, hyjmë e rrimë, e kalojmë pjesën e ditës. Po aty rrimë se jo për me dalë, ma nuk kemi ku”.

Edhe Mbi 13 mijë hektarë tokë e degraduar nga puna e gurthyesve Arbëri 1 muaj më parë Mbi 13 mijë hektarë tokë e degraduar nga puna e gurthyesve

Por deri tani udhëheqësit komunalë më shumë e kanë hallin sesi të nisin investime të kushtueshme e që bien në sy, sidomos në kohë fushatash, sesa që t’i finalizojnë e t’i kthejnë në qendra për shërbime të ndryshme për komunitetin.

Fëmijët para shkollës “Selman Riza” në Fushë-Kosovë do të vazhdojnë t’i mbajnë në klasa orët e edukatës fizike, gjatë ditëve me shi. Salla e re, jofunksionale, po pikon ende pa u përuruar.