Salla sportive afër shkollës “Selman Riza” në Fushë-Kosovë dhe ajo afër shkollës në Miradi të Epërme kanë filluar të shkatërrohen ende pa u funksionalizuar. Banorët, shoqëria civile e opozita po e akuzojnë pushtetin komunal për keqmenaxhim dhe keqpërdorim të parasë publike.
Mbi 300 mijë euro janë shpenzuar për ndërtimin e tyre, por sallat sportive afër shkollës “Selman Riza” në Fushë-Kosovë dhe ajo në fshatin Miradi të Epërme, përveçqë nuk janë funksionalizuar, kanë filluar edhe të shkatërrohen. Ndërtimi i tyre ka filluar të bëhet në vitin 2018.
Banorët e Miradisë së Epërme thonë se kjo sallë, që është ndërtuar në vendin ku ka qenë ish-objekti i shkollës, nuk po mund të shfrytëzohet nga fëmijët e fshatit.
“Ky objekt edhe pse shumë i nevojshëm për nevojat e nxënësve dhe fëmijëve të fshatit, normalisht edhe banorëve, është ndërtuar dhe është finalizuar, fatkeqësisht akoma pa u promovuar, akoma pa filluar me u përdorë, ka filluar të demolohet”, ka deklaruar Vlonjat Hasani, banor i fshatit Miradi e Epërme.
Shoqëria civile dhe opozita e kanë akuzuar pushtetin e Fushë-Kosovës për keqmenaxhim dhe dëmtim të buxhetit komunal për këto objekte.
“Kjo i bie që janë duke u keqmenaxhuar resurset publike, sepse këto dy palestra do të duhej të funksionalizoheshin përderisa është një investim nga taksapaguesit e qytetarëve”, është shprehur Feridian Shala, koordinator i projekteve në YAHR.
Ndërsa Durim Hajra, shef i Grupit të këshilltarëve të VV-së në Fushë-Kosovë, ka thënë se këtu kemi të bëjmë me një papërgjegjësi totale të nivelit lokal këtu në Fushë-Kosovë dhe një keqmenaxhim të parasë publike.
“Në këtë formë qytetarët nuk po e marrin shërbimin për të cilin edhe paguajnë, edhe për të cilin Ekzekutivi është i thirrur që të ofrojë shërbime, por edhe po dëmtohet buxheti me shkatërrimin e këtyre objekteve ende pa u funksionalizuar”, ka theksuar Hajra.
Zëdhënësi i Komunës, Ali Topalli, thekson se arsyeja e mosfunksionalizimit të këtyre objekteve kanë qenë mosmarrëveshjet që i kanë pasur me operatorin ekonomik, me të cilin thotë se e kanë shkëputur kontratën.
“Sallat kanë qenë të mbyllura, nuk kanë qenë të hapura. Ato janë afër shkollave dhe sigurisht jo gjithherë shkollat i kanë ato rojat e veta. Ne nuk kemi kapacitete dhe mundësi që t’iu bëjmë rojë sallave të sporteve, sepse sa salla i kemi në të gjithë territorin e Komunës së Fushë-Kosovës dhe kurrkund nuk ka mundësi që t’i bëhet një rojë sallës”, ka deklaruar Topalli.
Zëdhënësi Topalli ka theksuar se sivjet do të shpallin tender të ri për t’i sanuar dëmet në këto objekte, që pastaj të mund t’i funksionalizojnë.