Tri qendra të mjekësisë familjare në fshatrat e Fushë-Kosovës që nga ndërtimi janë të pashfrytëzueshme. Banorët dhe opozita thonë se kanë nevojë që shërbimet t’i marrin në to. Ndërsa nga komuna thonë se për shkak të numrit të vogël të banorëve, ato janë jashtë funksionit. Instituti GAP përmes një raporti për qëndrueshmërinë e investimeve kapitale, thotë se komunat kanë shpenzuar miliona euro të taksapaguesve të cilat tani po keqpërdoren.
Remzi Krasniqi nga fshati Bardh i Vogël i Fushë Kosovës, detyrohet të shkojë në qytet apo në fshatra të tjera për të marrë shërbime shëndetësore, ani pse shtëpinë e ka fare pranë objektit të Qendrës së Mjekësisë Familjare.
Krejt kjo, pasi QMF-ja në këtë fshat është jashtë funksionit prej vitit 2015 kur është ndërtuar.
Gjendje të njëjtë kanë edhe banorët e fshatit Henc dhe Grabovc të kësaj komune.
Përveç që këto qendra të mjekësisë familjare nuk janë në përdorim, ato edhe janë dëmtuar si brenda ashtu edhe jashtë.
Për QMF në Henc, në vitin 2016 komuna ka investuar 57 mijë euro, e arsyeja e mosfunksionimit të saj është pamundësia e punësimit të stafit.
Edhe
Kozmini me dy shtëpi shëndeti funksionale, Henci, Graboci e Bardhi pa asnjë
Këtë problematikë në fshatrat e Fushë-Kosovës, asamblisti nga radhët e LVV-së, Durim Hajra, thotë ta kenë ngritur disa herë në kuvendin komunal, mirëpo sipas tij, ka pasur mungesë të vullnetit për zgjidhje.
“Çka është më e keqja, ato janë dëmtuar në atë masë, që nuk mund të shfrytëzohen edhe tash për ndonjë qëllim tjetër. Ne këtë mendësi të ndërtimit të objekteve që nuk ofrojnë shërbim për qytetarët e konsiderojmë si keqmenaxhim me paranë publike edhe një lloj neglizhimi i nevojave reale të qytetarëve. Bëhet fjalë për gjysmë milioni euro të ndërtimit të objekteve për të cilat qytetarët nuk kanë marrë shërbim asnjëherë dhe si rezultat i kësaj, buxheti i Fushë Kosovës është dëmtuar këto vite për 500 mijë euro ose gjysmë milioni”, ka thënë ai.
Ndërsa kryetari i kësaj komune, Burim Berisha, ka shpjeguar arsyet pse këto objekte kanë mbetur të mbyllura.
“Po, janë ndërtuar në një kohë kur ka qenë presioni publik për të bërë në secilin katund nga një ambulancë para disa vite, kanë qenë donacione, për shembull në Henc është donator, është MSH. Në Bardh të Vogël jo vetëm ambulanca, por edhe objekti i shkollës është mbyllur sepse numri i popullsisë ka rënë shumë nëpër katunde dhe tani është e pamundshme që të funksionojnë”, ka thënë ai.
Sipas kryetarit, kjo komunë ka ndryshim të madh demografik dhe se brenda dy vjetëve i janë larguar mbi 2 mijë banorë.
Edhe
Tri fshatra të Ferizajt mbesin pa qendra të mjekësisë familjare
Nëpërmjet raportit "Qëndrueshmëria e investimeve kapitale të komunave”, Instituti GAP ka publikuar të dhëna për miliona euro të taksapaguesve për ndërtimin e objekteve të ndryshme, e të cilat nuk janë shfrytëzuar.
Sipas këtij raporti, dobësitë e identifikuara në Komunën e Fushë-Kosovës janë konflikt interesi në prokurim dhe dobësi në mbikëqyrjen e realizimit të projekteve.