Arbëri

Kozmini me dy shtëpi shëndeti funksionale, Henci, Graboci e Bardhi pa asnjë

Në Komunën e Fushë-Kosovës janë tri fshatra në të cilat janë ndërtuar objekte për shërbime shëndetësore, por të cilat nuk janë funksionalizuar asnjëherë. Banorët e këtyre fshatrave kanë tentuar t’ua ndërrojnë destinimin objekteve, por kërkesat e tyre nuk janë miratuar nga Komuna. E në Kozmin, fshat i po kësaj komune dhe i banuar kryesisht nga komuniteti serb, funksionojnë dy shtëpi shëndeti, njëra e menaxhuar nga strukturat paralele

Ndonëse është ndërtuar dhjetë vjet më parë, objekti në fshatin Henc të Fushë-Kosovës, i destinuar për ofrimin e shërbimeve shëndetësore, ka mbetur jofunksional. Përmes një peticioni, banorët e këtij lokaliteti kishin provuar që objektit t’ia ndërronin destinimin dhe ta shfrytëzonin si shtëpi pritëse për ngushëllime, por kjo nuk është miratuar nga Komuna.

Megjithatë, edhe pse pas shumë kohësh banorët e Hencit kërkojnë funksionalizimin e shtëpisë së shëndetit, sidomos tash në kohë të pandemisë.

“Ne kërkojmë edhe tani që të funksionalizohet, para së gjithash, në situatën pandemike në të cilën gjendemi”, ka thënë Driton Ademi, banor i Hencit.

Por nga Komuna e Fushë-Kosovës kanë thënë se ambulanca ishte ndërtuar si donacion dhe është tentuar që të funksionalizohet, por nuk ka pasur mundësi të angazhohet staf atje, për shkak të numrit të vogël të pacientëve.

“Në fshatin Henc është ai objekt i cili fillimisht është provuar që të hapet dhe të funksionojë, por me kalimin e kohës, duke parë se ishte numër i vogël i vizitorëve dhe i pacientëve, atëherë nuk kishim interes dhe as me ligj nuk lejohet që mjeku të qëndrojë atje pa pasur punë dhe jemi detyruar ta mbyllim”, ka deklaruar Ali Topalli, zëdhënës i Komunës.

Për arsyen e njëjtë pa funksion kanë mbetur edhe dy ambulanca në dy fshatra të tjera të kësaj komune, në Graboc e në Bardh të Vogël.

“Përderisa tri fshatra të Fushë-Kosovës kanë nga një ambulancë jofunksionale, fshati Kozmin i banuar më serbë dhe malazez ka dy dhe të dyja punojnë. Ndonëse numri i banorëve të Kozminit me tri fshatrat e tjera është pothuajse i njëjtë”.

Një nga ambulancat është e ndërtuar nga institucionet e Kosovës, ndërsa tjetra është ndërtuar nga institucionet paralele dhe shërbimet kryesisht i shfrytëzon komuniteti serb.

“Ne ofrojmë shërbime vetëm për ambulancën tonë që e kemi të ndërtuar, ndërsa aty ekziston edhe ambulanca paralele që ata e përdorin, por që ne jemi munduar që për shkak të komuniteti aty që jeton janë serbë dhe malazez, kemi ndërtuar një objekt ku një kohë të gjatë ka punuar mjeku dhe kanë ofruar shërbime, ndërkohë që tani për momentin ofrohen shërbime më të reduktuara”, ka thënë më tej zëdhënësi Topalli.

Objektet e pashfrytëzuara të shtëpive të shëndetit janë në gjendje të keqe, meqë ato janë dëmtuar shumë.