Komunarët e Fushë-Kosovës kanë marrë vendim që tri objekte të Ambulancave të Mjekësisë Familjare të jepen në shfrytëzim për një vit, pasi në to ka kohë që nuk ofrohen shërbime shëndetësore. Por, dy parti opozitare, thonë se përveç penalizimit të qytetarëve nga ky vendim, partia në pushtet nuk i ka ndjekur as procedurat që parashihen
Tri objekte shëndetësore në fshatra të ndryshme të Fushë-Kosovës mund të shndërrohen në hapësira për biznese private nëse jetësohet një vendim i Kuvendit Komunal. Ky institucion ka vendosur që objektet e ambulancave të mjekësisë familjare në fshatrat Bardh i Vogël, Henc dhe Graboc të jepen në shfrytëzim për një vit, pasi në to ka kohë që nuk ofrohen shërbime shëndetësore.
Por, zyrtarët e dy partive opozitare, LVV dhe PDK, thonë se përveçqë që ky vendim do t’i penalizojë qytetarët, pushteti nuk i ka ndjekur as procedurat e parapara ligjore.
“Argumenti ynë dhe arsyeja pse ne kemi votuar kundër është sepse ky ekzekutiv nuk ka arritur që t’i funksionalizojë dhe të shërbjenë për atë për çfarë janë ndërtuar. E dyta është që nuk janë ndjek procedurat paraprake. Ndërsa e treta, për shkak se vendimet të cilat merren që nuk janë në interesin publik, në parim Vetëvendosje nuk i mbështet”, ka thënë Durim Hajra, shef i Grupit të këshilltareve të LVV-së.
E shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Mirsad Qyqalla, tha se vendimit të pushtetit në Fushë-Kosovë nuk i ka paraprirë asnjë mendim i qytetarëve se çka duhet të bëhet me ato objekte.
“Përveç që ka qenë përgatitur mjaft dobët, ne kemi qenë kundër se edhe gojarisht kur ka provu me shpjegu arsyeshmërinë e dhënies së tyre, ka qenë e paqëndrusheme, sepse nuk mund të jepen objektet me karakter publik të jepen në shfrytëzim për qëllime private”, është shprehur Qyqalla.
E drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Mimoza Kolshi, ka thënë se duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ Nr.04/2022 për Kujdesin Parësor Shëndetësor, këto tri objekte nuk pritet të funksionalizohen për shërbime shëndetësore.
“Këto objekte janë ndërtuar para vitit 2010 dhe se mosfunksionalizimi i tyre ka të bëjë me numrin e vogël të pacientëve si dhe stafit shëndetësor.
Ato do të jepen në shfrytëzim për interesa të komunitetit dhe nevojave të tregut. Shfrytëzimi i këtyre objekteve për vitin 2023 do të bëhet në pajtueshmëri me Rregulloren nr.09/2020 për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim të Komunës, neni 4 dhe 5, pika 1.1”, ka theksuar Kolshi.
Megjithatë, opozitarët në këtë komunë ngulin këmbë se vendimi bie ndesh me nenin 4, pika 1.6 të rregullores, ku theksohet interesi publik dhe jo ai privat. Sipas tyre, pushteti ka dështuar t’i menaxhojë këto objekte duke mos i funksionalizuar për çka janë ndërtuar.