Ministria e Infrastrukturës, ka njoftuar për gjendjen e të gjitha rrugëve të Kosovës.
Sipas MI-së, në pothuajse të gjitha rrugët e rajonit të Prishtinës është bërë shpërndarja e kripës, si preventivë ndaj krijimit të ngricave mbi shtresat qarkulluese, shkaku i mjegullës dhe temperaturave nën zero (-0). Pavarësisht kësaj, rrugët e këtij rajoni janë krejtësisht të lira për qarkullim.
Rajoni i Pejës është poashtu në gjendje normale sa i përket infrastrukturës rrugore dhe zhvillimit normal të komunikacionit rrugor.
MI-ja, tutje thotë se krejtësisht të lira për qarkullim janë edhe rrugët e rajonit të Ferizajt. Ndërkaq, sipas nevojës, po intervenohet me kripë edhe në rrugët e rajonit të Gjilanit.
Pa ndonjë intervenim shtesë dhe krejtësisht të lira për qarkullim janë edhe rrugët në rajonin e Gjakovës.
Në drejtimet Prizren-Carralevë, Prizren-Prevallë, Zhur-Dragash-Restelicë dhe Dragash-Brod të rajonitë të Prizrenit, është bërë shpërndarja e kripës, për të rritur sigurinë në komunikacion.
“Autoudhët po mirëmbahen gjithashtu. Në drejtimin Suharekë-Morinë dhe Suharekë-Gjurgjicë të autoudhës “Ibrahim Rugova” dhe në autoudhën A6 Doganaj-Han i Elezit, po bëhet shpërndarja e kripës, me qëllim të parandalimit të ngricave mbi shtresat qarkulluese, shkaku i mjegullës dhe temperaturave nën zero (-0”, njofton MI-ja.