Instituti Demokratik i Kosovës ka gjetur se Ministria e Infrastrukturës (MI) dhe Bechtel & Enka, janë marrë vesh që kësaj të fundit t’i zgjatet afati për 152 ditë për të përfunduar punimet në autostradën Prishtinë – Hani i Elezit.
Kjo, sipas KDI-së, ia pamundëson Qeverisë së Kosovës të kërkojë penalti për moszbatim të kësaj kontrate me kohë.
Ndërkohë, përmes një reagimi për media, MI-ja thotë se aneks-kontrata me Bechtel & Enka-n e zgjat vetëm çështjen e pagesës së 53 milionë eurove, e jo afatin e kryerjes së punimeve.
Sipas KDI-së, kjo është paraparë në aneks kontratën e nënshkruar nga Ministria e Infrastrukturës (MI) dhe Bechtel & Enka, kopje e cila mban datën 5 shtator 2018, të cilën thotë se e ka siguruar kjo organizatë.
Sipas njoftimit, aneks kontrata e protokolluar me numër 02/8457 dhe e nënshkruar nga palët përcakton detyrimet e Qeverisë së Kosovës për 53 milionë euro për autostradën Prishtinë – Hani i Elezit, që njihet ndryshe si autostrada “Arben Xhaferi”.
Edhe
KDI kërkon nga Lekaj të sqarojë kontratën që ia vazhdoi Bechtel&Enkas dhe milionat e shtuar
“Me këtë aneks kontratë, përveç 53 milionëshit, MI-ja është pajtuar që të zgjatet afati i implementimit të kontratës bazë deri më 1 qershor 2019, përkatësisht 152 ditë i jepen kohë shtesë Bechtel & Enkes për zbatimin e punëve për këtë autostradë. Në anën tjetër ministria vazhdimisht, përmes prononcimeve në media të ministrit Pal Lekaj, ka deklaruar se janë duke shikuar mundësit për vënien e penaltive për vonesa të Bechtel & Enkas në kryerjen e punëve”, thuhet në letrën e KDI-së.
Njoftimit thotë se sipas kësaj aneks kontrate nuk është e qartë se si janë kalkuluar 53 milionë euro dhe se në çfarë baze është shtyrë afati për plus 152 ditë shtesë.
“KDI përmes konferencës për media në dhjetorin e 2018 ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës sqarime se si janë kalkuluar 53 milionë euro, por deri më tani nuk kemi pranuar asnjë informatë shtesë”, thuhet në fund të njoftimit.
MI-ja në reagimin e saj bën me dije se “kontrata për realizimin e Projektit të autoudhës ‘Arbën Xhaferi’ ka qenë e planifikuar të përfundonte në janar të vitit 2018”.
“Duke parë se një gjë e tillë është e pamundur, për shkaqe të njohura tani për publikun, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit me 27 shtator 2017, kishte zgjatur kohën për përfundimin e këtij projekti deri më 31.12.2018, ndërsa shpenzimet për këtë zgjatje do të përcaktoheshin më vonë”, thuhet në njoftim.
“Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 5 qershor 2018 për akordimin e shumës prej 53,1 milionë euro, në emër të kontratës së datës 27 shtator 2017, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit me datë 5 shtator 2018, ka nënshkruar një aneks të kontratës për përcaktimin e afateve kohore të pagesës së kësaj shume, e cila pritet të paguhet në këste të barabarta deri me 1 qershor 2019”, thuhet më tej në sqarimin për media të kësaj Ministrie.
Edhe
MI-ja mjaftohet me një komunikatë për humbjen e të drejtës për penallti ndaj “Bechtel & Enka-s”
Prandaj, sipas Ministrisë që drejtohet nga Pal Lekaj, nuk është i saktë konstatimi se MIT ka zgjatur kohën për përfundimin e punëve ndërtimore në projektin e autostradës “Arbën Xhaferi”, por vetëm afatin për pagesën e shumës së shpenzimeve për zgjatjen e kësaj kontrate.
“Këto dy çështje janë të ndara sipas kontratës dhe aneks kontratave të nënshkruara nga të dy palët. MIT mbetet e përkushtuar në zbatimin e plotë të dispozitave kontraktuale dhe mirëpret përkushtimin e vazhdueshëm edhe të palës tjetër për zbatimin e kontratës. Ditëve në vijim do të bëhen të ditura shkaqet për vonesën e përfundimit të këtij projekti dhe veprimet e mëtejme për vonesën”, thuhet në njoftim.