Arbëri

Mësimdhënësit e “Lidhjes së Prizrenit” në Deçan ndërrojnë mendje, kthehen në grevë

Përpos të një klase të dytë, shkolla “Lidhja e Prizrenit” në Deçan, ka ndërruar mendje, duke vendosur ta vazhdojë grevën. Ky vendim, sipas disa mësimdhënësve të ciklit të mesëm të ulët dhe të fillorit, u mor pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, kur i quajti grevistët “sindikalistë të PAN-it”, referencë për koalicionin PDK-AAK-Nisma.

Ndërsa, grevën nuk do ta mbajë vetëm mësimdhënësja e një klase të dyte, Atifete Qorraj. Ajo tha se grevën e ka ndërprerë për hir të fëmijëve.

Kryeministri Kurti deklaroi të dielën se ofertat e Qeverisë për sindikalistët nuk kanë vlejtur, derisa shtoi se sindikalistëve “iu ka ndaluar sahati”.

“Mësimi duhet të fillojë sa më parë. Ne duam që mësimi të fillojë, është dashur të fillojë më 1 shtator. Jam i bindur se fëmijët duan të shkojnë në shkollë, prindërit duan që fëmijët t’i kenë në shkolla, e mësimdhënësit duan që të japin mësim në shkolla. Nuk duam të bojkotohet shteti, sepse shkolla është shteti. Të gjitha ofertat tona për Këshillin Grevist dhe Sindikatën e Arsimit nuk kanë vlejtur, u refuzuan. Për të ardhur keq se si shkollimi në Kosovë po mbahet peng, për përshtypjen time të fuqishme, gjitha takimet që kam pasur, bëhet fjalë për një lloj inati anti-qeveritar. Kurs kundër Qeverisë së progresit e shpresës, prej sindikalistëve të PAN-it të cilëve iu ka ndaluar sahati më 5 qershor të vitit 2017. Aty u ka ngelur sahati sindikalistëve të PAN-it dhe duan t’i bëjnë shërbim PAN-it në opozitë, duke bërë grevën armë kundër Qeverisë”, ka thënë Kurti.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, deklaroi se Kurti po i fton sindikalistët në takime vetëm për t'u tallur me ata.