“Hyrja e plotë dhe e pa afat në grevë ka qenë veprim me pasoja të rënda dhe abuzim ekstrem (e i përsëritur) nga sindikata, ndërsa mosveprimi me kohë dhe moszhvillimi i dialogut social të mjaftueshëm nga Qeveria, që do ta parandalonte ose mbyllte sa më shpejt grevën, është vlerësuar nga prindërit gjerësisht si papërgjegjësi qeverisëse”, ka thënë kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës
Institucionet qendrore dhe Sindikata e Arsimit nuk tregojnë respekt e as përfillje ndaj kërkesave të prindërve, ka vlerësuar Jeton Demi, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës. Sipas Demit, ngërçi që ka kapluar sektorin e arsimit për shkak se mësimdhënësit kanë hyrë në grevë që nga 25 gushti, është abuzim ekstrem i sindikatave dhe papërgjegjësi e ekzekutivit për mosparandalimin e mbylljes së shkollave. Ai ka thënë se këto palë përdorin prindërit për interesa politike e sindikale, e asnjëherë për konsultime e bashkëpunime. Nëse procesi mësimor nuk fillon më datën 3 tetor, ai ka thënë se do të shqyrtojnë mundësitë e organizimit të prindërve që të mbrohet interesi i fëmijëve. Demi ka thënë se nuk vlerësohet roli i prindërve dhe që legjislacioni i cili rregullon organizimin e Këshillit të Prindërve në çdo nivel është i projektuar dobët.
KOHA: Si e vlerësoni veprimin e disa mësimdhënësve të disa shkollave që votuan pro vazhdimit të grevës dhe a do të organizoheni si Këshill nëse mësimi nuk fillon më 3 tetor?
DEMI: Ne e shohim si zgjidhje ndërprerjen e menjëhershme të grevës dhe fillimin e mësimit sa më shpejt që të jetë e mundur. Data 3 tetor duhet të jetë fillimi i mësimit në gjithë Kosovën, nëse kjo nuk ndodhë prindërit kanë të drejtën morale dhe ligjore të shprehin gjithë pakënaqësitë e tyre, nuk ka më hapësirë për thirrje e për durim, me një fjalë do të shihet çdo mundësi e organizimit të prindërve që të mbrohet interesi i fëmijëve.
KOHA: Si Këshill i Prindërve të Kosovës sa ju ka shqetësuar fakti që mësimdhënësit kanë vendosur që grevën ta përdorin si mjet për t’i realizuar kërkesat e tyre?
DEMI: Ne, Këshilli i Prindërve, gjykojmë me fakte se është padrejtësi shumë e rëndë mohimi i së drejtës (sidomos fëmijëve - si kategori specifike dhe me shumë rëndësi) për plotësimin e nevojave të një grupi specifik (e sidomos mësimdhënësve - që mëtojnë të jenë edukuesit e vet fëmijëve të normave më të larta njerëzore). Hapësira e krijuar ligjore për bllokimin e plotë të sistemit edukativ e arsimor publik në Kosovë është ndër të rrallat edhe përtej Evropës, në llojin e vet, andaj mund të vlerësohet se ka qenë e mundësuar dhe nxitur politikisht në vazhdimësi.
Edukimi e arsimimi i fëmijëve është më i rëndësishmi sektor i Kosovës, ndërkohë që është argumentuar shumëfish këto vite se grevat janë përdorur paarsyeshëm e pamëshirshëm, dhe institucionet shtetërore mbajnë përgjegjësinë kryesore (e për këtë duhet të jenë të vetëdijshëm e të përgjegjshëm presidenti, kryeministri, ministrat, deputetët, Avokati i Popullit dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese) që e kanë për detyrë ta kufizojnë bazën ligjore që e lejon abuzimin ekstrem të një të drejte sindikale ndaj një të drejte njerëzore e kushtetuese.
KOHA: Duke e parë që deri më tani janë mbajtur vetëm dy takime zyrtare në mes SBASHK-ut dhe Qeverisë për të gjetur një zgjidhje për ndërprerjen e grevës, a vlerësoni se ka gatishmëri nga dy palët për të gjetur gjuhë të përbashkët?
DEMI: Ne nuk e kemi besuar se greva do të vazhdojë më 1 Shtator (e për ndalimin e saj këtë kemi kërkuar angazhim nga dyja palët), ngase gjendja e sistemit edukativ e arsimor në vend është në pozitën më të rëndë në vend nga paslufta. Kjo, meqë dalim nga më shumë se dy vjet pandemi (me shumë periudha të mbylljes së shkollave e pa zgjidhje të duhura alternative të institucioneve arsimore për zhvillim të mësimit) dhe jemi në një moment shumë të ulët të kredibilitetit të arsimit publik në Kosovë, që manifestohet me çregjistrim nga sektori publik ose (edhe më rëndë) me largimi masiv nga vendi (e argumentuar me rënie prej mijëra nxënësish çdo vit në arsimin parauniversitar në Kosovë). Andaj, hyrja e plotë dhe e pa afat në grevë ka qenë veprim me pasoja të rënda dhe abuzim ekstrem (e i përsëritur) nga sindikata, ndërsa mos veprimi me kohë dhe mos zhvillimi i dialogut social të mjaftueshëm nga Qeveria, që do ta parandalonte ose mbyllte sa më shpejt grevën, është vlerësuar nga prindërit gjerësisht si papërgjegjësi qeverisëse.
KOHA: Sipas legjislacionit aktual, prindërit janë në krye të shkollës, ata udhëheqin Këshillin Drejtues të shkollës. Sa po merret parasysh roli juaj nga akterët e tjerë gjatë periudhës së grevës?
DEMI: Ka mungesë të theksuar të respektit, kujdesit dhe vlerësimit si nga (e sidomos) sindikata, ashtu edhe institucionet (qendrore e komunale). Këto palë as nuk na kanë konsultuar e as nuk na ftojnë në takime, por tentojnë që t'i përdorin prindërit për interesa e nevoja sindikale e politike (tashmë të njëjtësuara këto). Kjo situatë e përsëritur do të ketë pasoja në menaxhimin e shkollave dhe ndihmën e prindërve. Nuk ka kuptim që prindërit e fëmijët të jenë pjesa më e parëndësishme e sistemit arsimor e sindikata të mbajë "monopolin" e të gjitha të drejtave ekskluzive, me grevat që i përdor si "kobure" shantazhi për të arritur qëllime që nuk po rezultojnë të jenë vetëm sindikale.
KOHA: Po ashtu, sipas legjislacionit, pjesë e Këshillit të Prindërve të Kosovës mund të jenë edhe mësimdhënësit. A është duke ju sjellë probleme pjesëmarrja e tyre në Këshill gjatë kësaj periudhe të grevës.
DEMI: Udhëzimi Administrativ që rregullon organizimin e Këshillit të Prindërve në çdo nivel (shkolla, komuna e vendi) përveç se është i projektuar shumë thjesht e shumë dobët, nuk i përcakton as kufijtë e përfaqësimit në këtë këshill. Aktualisht, në këshillat e prindërve kemi me të madhe përfshirje të mësimdhënësve (shpeshherë të devotshëm sindikalisht), por edhe struktura nga të gjitha partitë politike. Kjo gjendje po e pamundëson sinkronizimin e energjive të Këshillit në përfaqësimin e interesave të fëmijëve, e për këtë (por edhe plotësime të tjera) duhet ndryshimi emergjent i udhëzimit përkatës.
KOHA: Sipas jush, cila do të ishte mënyra më adekuate e funksionimit të Këshillit të Prindërve?
DEMI: Këshilli i Prindërve duhet të bëhet një strukturë përfaqësimi e vetëm interesave të fëmijëve dhe prindërve, e plotësuar me staf profesional të aftë për ndikim pozitiv në çdo nivel arsimor, dhe e mbikëqyrur nga një strukturë individësh me kredenciale shumë të larta e të dëshmuara (njerëzore e profesionale) dhe e gatshme për të parandaluar e përballuar sfidat e krizat në këtë sektor.
Këshilli aktual nuk i ka këto kapacitete e këtë përmbajtje.
KOHA: Si Këshill i Prindërve, si e vlerësoni gjendjen infrastrukturore të objekteve shkollore? A i përmbushin standardet që fëmijët të qëndrojnë në ato ambiente për mbi pesë orë si dhe për zhvillimin e mirëfilltë të një procesi mësimor?
DEMI: Objektet tona shkollore, bashkë me infrastrukturën përcjellëse, nuk i plotësojnë as mjaftueshëm nevojat e kërkesat për zhvillim të procesit normal e të kohës në edukim e arsimim. Shkollat tona gjerësisht reflektojnë mungesën e kujdesit dhe trajtimit njerëzor e profesional, andaj janë kthyer në pika grumbullimi për qëndrimin disaorësh të fëmijëve (ku shpesh ndodhin situata e ngjarje të papërshtatshme për ta) andaj duhen rishqyrtuar funksionin e tyre detajshëm.
KOHA: Sa janë të sigurta objektet shkollore, te marr parasysh që nga aksionet e Policisë këtë vit janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm i armëve të ftohta?
DEMI: Institucionet edukative e arsimore kanë dështuar të ofrojnë ambient të sigurisë së plotë e miqësisë për fëmijët e prindërit. Ato atakohen nga interesa individësh me profil e qëllime të dyshimta andaj nuk guxon lënë pa mbrojtje e kujdes shumëdimensional. Shkollat, në gjithë perimetrin e tyre, por edhe një hapësirë deri 500 metra afër shkollave, duhet vendosur në një nivel të sigurisë më të lartë të mundshme (përfshirë transportin e fëmijëve, shërbimin e gastronomisë dhe çfarëdo ndikim tjetër ndaj fëmijëve). Prindërit sot nuk ndihen të sigurt për fëmijët e tyre në shkolla e afër shkollave. Këtë fakt nuk guxon ta pranojnë si normë as institucionet e as prindërit.
KOHA: Ndër vite ka pasur kritika nga prindërit për cilësinë e ultë të teksteve shkollore. Në tre vjetët e fundit janë aprovuar tekstet e reja shkollore për të gjitha klasat. A keni vërejtur përmirësime apo ende vazhdon çalimi tek ofrimi i teksteve adekuate për fëmijët?
DEMI: Kur prindërit gjejnë gabime në tekste (që rëndom ndodh kjo) është shenjë e qartë sa keq projektohen, realizohen e përgatiten librat. Mendojmë që tekstet e tilla duhen filtruar gjatë dhe imtësisht përpara botimit nëse duam që ato t'i shërbejnë fëmijëve. Ky proces i dhënies së librave falas (vetëm fizikisht e jo edhe në formë digjitale) nuk është dëshmuar të jetë i duhuri, dhe më shumë rezulton të jetë i përshtatshëm për shtëpitë botuese (për fitime të majme e të kontrollueshme e planifikueshme) sesa ndihmë për fëmijët e prindërit. Rikonceptimi i atij procesi, por edhe digjitalizimi i plotë i teksteve, është nevojë e kohës.
KOHA: Sa vlerësoni se institucionet përgjegjëse të arsimit marrin parasysh kërkesat e prindërve?
DEMI: Raporti i Këshillit të Prindërve me institucionet gjegjëse (shkolla, DKA dhe Ministri e Arsimit) kërkon ripërtëritje, por kjo duhet të fillojë nga ndryshimi përmbajtjesor i këshillave të prindërve. Një Këshill i mirëpërfaqësuar do të ketë më shumë gatishmëri e vullnet mbështetjeje. Aktualisht këto raporte janë edhe të çrregullta edhe jofunksionale. Prindërit shihen si palë (në shumicën e rasteve në të gjithë vendin) vetëm për formalitet administrativ. Edhe më e dhimbshme që prindërit e pranojnë "vullnetshëm" këtë.
Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.