Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjatë vizitës së tij në Tel Aviv të Izraelit, ka thënë se qëllimi kryesor i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe Bashkim Evropian, ndërsa ka pranuar se Kosova ka nevojë për më shumë prani të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vend.
“Fakt është se ne kemi nevojë për më shumë prani të SHBA-së në Kosovë për arsyen se nuk mund të lejojmë Rusinë dhe Kinën të ndikojnë në Ballkan duke përdorur Serbinë si mjet për të përhapur ndikimin e tyre në rajon”, ka thënë ai në kuadër të “Panairit Ndërkombëtar të Mbrojtjes ISDEF 2022”, para pjesëmarrësve në Konferencën e menaxhimit të krizave, ku është paraqitur me temën ‘Kosova- Menaxhimi i krizave në nivel kombëtar’.
Si një vend i ri, sipas Mehajt, Kosova është në proces të zbatimit të Planit Gjithëpërfshirës 10-vjeçar të Tranzicionit që Forcat e Sigurisë së Kosovës të bëhen plotësisht të afta si Ushtri.
“Sapo shënuam fundin e fazës së parë të planit të tranzicionit, ndaj presim me padurim rritjen e aftësive profesionale dhe operacionale. Kosova për herë të parë ishte ndër vendet nikoqire të stërvitjes më të madhe “Defender Europe 21”, duke dërguar një sinjal të rëndësishëm për përkushtimin e saj ndaj sigurisë globale. Po ashtu, FSK-ja sapo shënoi bashkëzbarkimin e parë historik në misionin paqeruajtës me Ushtrinë Amerikane në Kuvajt, prandaj Kosova tashmë ka bërë një hap më tej në ndryshimin e rolit të saj në sigurinë rajonale dhe globale duke kontribuar në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Së fundmi, pas zhvillimeve në Ukrainë, është një thirrje për të gjithë liderët botërorë që të përgatiten dhe të forcojnë mbrojtjen”, ka thënë ai në Konferencën e menaxhimit të krizave.
Mehaj në këtë Ekspozitë Ndërkombëtare të Mbrojtjes dhe Ushtrisë ka thënë se Kosova ka forcuar buxhetin e saj të mbrojtjes.
“Qeveria e Kosovës ka miratuar rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen ushtarake. Në total, kjo përbën një rritje prej 45% të shpenzimeve për mbrojtjen, gjë që tregon një angazhim më të madh të përpjekjeve të qeverisë në sektorin e mbrojtjes. Prandaj, ndërthurja e interesit të vendit për Kosovën duke zgjeruar blerjet ushtarake për periudhën e ardhshme dhe potencialin ekonomik që Kosova ofron për investitorët e huaj, përshtatet në një kombinim perfekt për periudhën e ardhshme të rritjes së kapaciteteve ushtarake në njërën anë dhe rritjes së zhvillimit ekonomik nga ana tjetër”, ka theksuar ai.
Edhe
Mehaj vlerëson lart pjesëmarrjen në konferencën e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës
Si ministër i Mbrojtjes, Mehaj thotë se beson në bashkëpunimin e fortë dhe lidhjen e fortë transatlantike, për t'u përballur me sfidat e përbashkëta.
“Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar për të ruajtur paqen dhe stabilitetin. Rritja e bashkëpunimit dhe vazhdimi i forcimit të aftësive ushtarake për të siguruar që bashkëpunimi i mbrojtjes të çojë në rezultate konkrete për të përballuar sfidat e përbashkëta në gjeopolitikën globale”, është shprehur ai.
-
Mehaj: Baza e përhershme ushtarake e SHBA-së në Kosovë, do ta pengonte qasjen e Rusisë në rajon
-
Mehaj: Anëtarësimi në NATO do ta përmbyllte përgjithmonë problemin me Serbinë
-
Mehaj bën thirrje për të kontribuar në Fondin e Sigurisë
-
Mehaj: Sanksione jo vetëm ndaj Rusisë, por edhe Serbisë që ndjek politikat ruse