Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë thirrje për të kontribuar në Fondin e Sigurisë së Kosovës.
Të enjten në një postim në Facebook, Mehaj ka thënë se u duhet mbështetja për ta konsoliduar Forcën e Sigurisë së Kosovës në nivelin e ushtrive anëtare të NATO-s. Sipas tij në këtë formë vlerat demokratike të shtetit mbrohen dhe jeta e çdo qytetari është e sigurt.
“Ju ftoj të kontribuoni në Fondin e Sigurisë, për interesat shtetërore, për forcën që do mbroj atdheun, do siguroj jetën tuaj dhe të ardhmen e fëmijëve. Ne të gjithë e kemi për obligim ta lëmë këtë vend më të mirë nga se e kemi trashëguar. Ne e kemi për obligim të mbrojmë të ardhmen e kombit”, ka shkruar Mehaj.
Sipas Mehajt në rrethanat aktuale gjeopolitike, me luftën në Ukrainë, janë të vetëdijshëm se duhet bërë shumë më tepër dhe se në forma të ndryshme, të gjithë së bashku, duhet kontribuar për ushtrinë.
“Mërgata, pronarët e bizneseve por dhe qytetarët e thjesht të këtij vendi, shtresa e mesme e shoqërisë për nga të ardhurat por e lartë nga atdhedashuria, gjithmonë kanë qenë mbështetja më e madhe për çfarëdo lëvizje në mbrojtje të atdheut”, ka shkruar Mehaj.
Ai ka thënë se sot nuk ka më pak heronj se sa ka pasur ndonjëherë më parë dhe se të jesh ushtar është çdoherë sfidë.
“Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk janë duke u trajnuar thjesht për lavdi. Atyre nuk u intereson sa medalje fitojnë, apo sa herë i shohin emrat e tyre në televizion apo në portale. Ata janë atje, në kazermë, në teren, çdo minutë të çdo dite duke u angazhuar për atë që besojnë. Trajnohen e ushtrojnë që niveli i tyre i përgatitjes të jetë i lartë, aq sa dhe vullneti i tyre për ruajtjen e paqes dhe garantimin e sigurisë për familjet e tyre dhe kombin në përgjithësi. Ne të gjithë duhet të jemi shumë krenarë për ta. Por të jesh krenar nuk mjafton. Duhet të kujtojmë se ata kanë nevojë për mbështetjen tonë”, ka shkruar Mehaj.
Edhe
Mehaj fton qytetarët të kontribuojnë në Fondin për Siguri
Sipas tij Qeveria e Kosovës përgjatë këtyre muajve ka investuar më shumë se çdoherë tjetër në avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Ushtarakët tanë në vazhdimësi janë duke u pajisur me armatimet më moderne ushtarake, ndërsa oficerët e rinj po shkollohen në akademitë më të njohura botërore. Shumë punë është bërë duke investuar deri 99 % më tepër se vitet paraprake në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Me investimet në pajisje por dhe plotësimin e tre ligjeve bazike për MM/FSK, më shumë të rinj nga mosha 18-25 vjeç do t'i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka shkruar Mehaj.
Ai ka thënë se sigurimi i mundësive të barabarta dhe një përfshirje më e madhe do ta forcojë ushtrinë.