Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë thirrje të martën për gratë e reja që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e ushtrisë së Kosovës.
Ai e ka vlerësuar si tejet të rëndësishme pjesëmarrjen e gruas në ushtrinë e vendit, duke thënë se përbërja e ushtrisë duhet ta reflektojë përbërjen e popullsisë.
“Gra dhe burra të këtij vendi qëndrojmë bashkë në konsolidimin e ushtrisë së Republikës së Kosovës në standardet e NATO-s, ashtu siç përherë të rinjtë e të rejat e këtij vendi, populli ynë i dashur ka ditur të kontribuojë pakursyer deri në vetëmohim për lirinë që tejkalon kuptimin metafizik, për sigurinë që duhet ta ndiejë secili për veten e tij dhe brezat e ardhshëm, për atdheun që territorialisht përkufizon dhe ndjenjat më sublime të popullit”, ka shkruar Mehaj në Facebook, duke shtuar se duhet të punohet bashkë drejt anëtarësimit në NATO.