Arbëri

Mehaj: Kosova duhet të ketë 20 mijë vullnetarë rezervë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj është duke raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Ai ka thënë se Kosova duhet ta ketë edhe një rezervë vullnetare të ushtrisë. Sipas tij, mbi 20.000 persona duhet të mbajnë trajnime.

Mehaj ka thënë se ka diskutuar me Ministrinë e Kulturës dhe Ministrinë e Arsimit për futjen e lëndës mësimore të sigurisë në shkollë.

“Lënda e sigurisë, mbrojtjes dhe paqes është e domosdoshme për t’u bërë pjesë e mësimit në shkolla. Inteligjenca ushtarake është e domosdoshme për çdo ushtri. AKI-ja merret me sigurinë e brendshme. Inteligjenca ushtarake merret me sigurinë jashtë vendit”, ka thënë ai.

Ministri i Mbrojtjes ka deklaruar se është dërguar propozimi edhe në Qeveri edhe në Ministri të Financave lidhur me pagat.

"Nuk kemi mungesë të naftës. Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme ta mbrojë vendin", ka thënë ai. “Fokusi i ndërtimeve është në drejtim të Defender Europe 2023. Orientimi i ndërtimeve është në Babaj të Bokës ku do të mbahen ushtrime”, ka thënë ai.

Ndërkaq për kundërshtuesit e Fondit të Sigurisë ai ka thënë se “nuk është mirë të jemi anti-shtetërorë”.

Deputeti i VV-së, Enver Dugolli, është ankuar se nuk është përmbushur as numri i rezervës së obligueshme dhe se nuk ka parë ndonjë konkurs për këtë.

Ndërkaq deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka thënë ka pasur rënie drastike të personave të cilët i janë bashkuar Forcës së Sigurisë.

Ai ka thënë se vetëm në Ferizaj 5 pjesëtarë të FSK-së kanë aplikuar në konkurs në Policinë e Kosovës.