Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se gjatë këtij viti Forcën e Sigurisë së Kosovës e kanë braktisur 127 ushtarë.
Mehaj gjatë raportimit në Komisionin për Siguri në Kuvend ka theksuar se gjatë mandatit të tij janë rekrutuar 1.230 ushtarë.
Por deputetët opozitarë e konsideruan alarmues numrin e ushtarëve të larguar nga FSK-ja.
“Prej 2009 deri tash nuk ka trend ndryshimi më shkurt amo duke u krahasuar me rajon, me ushtri të shteteve partnere të shteteve të NATO-s, e mira është të mos ketë asnjë largim por nuk është diçka e jashtëzakonshme, në çdo ushtri të botës hyjnë e dalin njerëzit, kjo bile është e mirë se mësojnë aftësi dhe munden më i dhënë ato shkathtësi edhe në institucione tjera ose në privat ku punojnë”, tha Mehaj.
“Çdo ushtar dhe çdo polic që largohet nga forcat e sigurisë është një humbje e madhe për shkak që duhet bukur shumë kohë përgatitje të një kuadri siç është ajo e ushtrisë”, tha deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.
Edhe
Sipas ministrisë, ushtrinë po e lëshojnë ata që s’e përballojnë disiplinën
E këshilltarja e ministrit Mehaj, Liridona Gashi, tha se trendi i largimeve nuk është alarmues.
Mehaj para deputetëve ka thënë se janë të përgatitur dhe gatshëm për ta mbrojtur sovranitetin e vendit.
“Serbia është ajo që është. Ne duhet me qenë çdoherë të përgatitur, asaj nuk i besohet kurrë. Ne jemi të përgatitur, jemi të gatshëm të mbrojmë vendin, çdo kohë, kurdo që kërkohet”, tha Mehaj.
Ai bëri të ditur se krahas anës ligjore është punuar edhe në rritjen e numrit të ushtarëve dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale, por edhe të atyre operacionale.
Edhe
FSK-së i shtohen edhe 31 oficerë të rinj
Ministri ka thënë se synimi kryesor është anëtarësimi i Kosovës në NATO.
Derisa nënvizoi se bashkëpunimi ndërkombëtar i FSK-së po vazhdon dhe se Kosova do të marrë pjesë në "Defender 2023", ai refuzoi të japë shifra për blerje të armatimit ushtarak në prani të mediave.