Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, të hënën ka raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, për punën e ministrisë gjatë vitit 2022.
Ai ka folur për ngritjen e kapaciteteve operacionale dhe profesionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Është punuar edhe në rritjen e numri të ushtarëve dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe atyre operacionale. Gjatë vitit 2022 janë rekrutuar 840 ushtarë të ri, ndërsa gjatë këtyre muajve të mandatit në tolal janë rekrutuar 1230 ushtarë, që është dyfishi i vitit 2020 dhe 2019”, ka theksuar Mehaj.
Ai ka thënë se synimi i tyre është anëtarësimi në NATO dhe ofrimi i kontributit si shtet në sigurinë e rajoni dhe më gjerë, me anë të pjesëmarrjes në misione ndërkombëtare.
Gjatë raportimit, nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, Mehaj është pyetur lidhur me atë se sa është vlera e armatimit që FSK-ja ka blerë gjatë viteve 2021 dhe 2022. Për këtë ministri ka theksuar se është më mirë që të flitet në një mbledhje të mbyllur.
Edhe
Mehaj: FSK-ja e përgatitur dhe e gatshme ta mbrojë sovranitetin, Serbisë s’i besohet
“Besoj që këtë pyetje është mirë ta trajtojmë kur ta kemi seancën e mbyllur”, ka deklaruar Mehaj.
Ai ka theksuar se gjatë këtij viti legjislacioni i fushës së sigurisë ka avancuar, duke plotësuar dhe ndryshuar Ligjin për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Ligjin për FSK-në dhe Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes. “Nëpërmjet plotësim ndryshimit të këtyre ligjeve kemi bërë një hap të rëndësishëm për ushtrinë e Republikës së Kosovës, duke hequr kufizimin në numër të pjesëtarëve aktiv dhe rezervë, si dhe duke shtyrë kriterin e moshës së lejuar për aplikimin e rekrutëve deri në moshën 25-vjeçare”, ka theksuar Mehaj.