Forcës së Sigurisë së Kosovës, sot iu shtuan edhe 31 oficerë të rinj.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj gjatë ceremonisë së diplomimit të tyre, ka thënë se oficerët e rinj janë shtylla mbi të cilën do të vazhdon ndërtimin struktural e profesional Forca e Sigurisë së Kosovës, dhe që do shoqërojë etapën e ushtrisë sonë drejt shërbimit në aleancën e madhe të NATO-s, si ofruese të sigurisë dhe paqes përtej vendit e rajonit.
“Si oficerë të diplomuar, ju tashmë keni përvetësuar themelet e udhëheqjes duke mësuar teknikat e luftimit dhe të fushëbetejës që zbatohen si për veten e tuaj ashtu edhe për grupin që do udhëheqni. Ju tani keni atë që duhet për të udhëhequr dhe për të ndërtuar besimin në ekipin tuaj si oficer të Ushtrisë së Kosovës, përgatitjen fizike, sigurinë mendore e emocionale, njohuritë dhe aftësitë për të udhëhequr çdo situatë në mënyrë efektive, pa marrë parasysh mjedisin ose skenarin e operacionit. Ju jeni shtylla mbi të cilën do të vazhdon ndërtimin struktural e profesional Forca e Sigurisë së Kosovës, dhe që do shoqëroj etapën e ushtrisë sonë drejt shërbimit në aleancën e madhe të NATO-s, si ofruese të sigurisë dhe paqes përtej vendit e rajonit. Dhe ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë! Në vazhdimësi po e dëshmojmë! Janë ushtarakët tanë të Qendrës së Kërkim-Shpëtimit ata që po operojnë në Hatay kur aleati ynë turk ka më së shumti nevojë. Jeni ju që në vazhdimësi keni treguar profesionalizëm të lartë në çdo garë e trajnim ndërkombëtar. Janë ushtarakët e FSK-së ata që kanë asistuar misionin e NATO-s për evakuimin e refugjatëve afganë. Bashkëpunimi i qëndrueshëm që kemi krijuar me shtetet partnere është si rezultat i vlerave që përfaqësojmë, dhe reflektim i veprimeve tona. Partnerët tanë njohin qëndrimet tona. Dijnë çka besojmë dhe për çka angazhohemi. Luftojmë vetëm për paqen, ashtu siç të parët tanë, komandanti legjendar Adem Jashari, dëshmorët dhe veprimtarët e kombit bën para nesh. Jemi shtet i vogël por me zemër të madhe!” – ka thënë Mehaj.