LAJMET E MBRËMJES

Dymbëdhjetë kadetë i shtohen FSK-së

Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë shtuar 12 kadetë të rinj. Në ceremoninë e organizuar të premten në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ata dhanë betimin para ministrit të Mbrojtjes dhe ushtarakëve të lartë të FSK-së. Nga kadetët e rinj të cilët i pret një shkollim 4-vjeçar në Qendrën për Studime Universitare të FSK-së, u kërkua gatishmëri që t’u bashkohen operacioneve ndërkombëtare në shërbim të paqes.

“Të dashur kadetë, nga ju pres për katër vjetët e ardhshëm që të arrini zhvillimin e duhur ushtarak, atë fizik dhe moral, të bëheni udhëheqës me karakter të fortë dhe të jeni të gatshëm të bashkoheni me stërvitje dhe operacione ndërkombëtare në shërbim të paqes, sigurisë, stabilitetit rajonal, por edhe më gjerë, krah njëri-tjetrit dhe partnerëve tanë”, ka thënë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Zëvendëskomandanti i Qendrës për Studime Universitare, Albian Ajvazi, ka thënë se këta kadetë kanë kaluar suksesshëm një mori testesh, që ishin parakusht për pranim.

“Të dashur kadetë, sot trupës suaj po i shtohen dhe 12 kadetë të rinj, ju bashkërisht me stafin do të mësoni ata se çka do të thotë të jesh kadet i QSU-së. E di që ju nuk do të bëni kompromis dhe do të siguroheni që secili që dëshiron të gëzojë këtë privilegj do të duhet ta meritojë atë”, ka thënë Ajvazi.

Kadetët e rinj të FSK-së e shohin këtë rrugëtim me shumë sfida, por thonë se kjo i bën të ndihen përgjegjës dhe krenarë.

“Është një ndjenjë tepër e veçantë dhe e lumtur, meqë e kam bartur traditën dhe historinë e Kosovës dhe besoj që në një të ardhme të shpejtë do t’i bëj krenarë prindërit dhe ata që kanë qenë të gatshëm për ta dhënë jetën për këtë vend”, ka thënë Syla për Kosovapress.

Një kadet tjetër ka thënë se rrugën përpara e ka të vështirë, porse është i motivuar për t’i shërbyer FSK-së.

“Është sfiduese, e mirë dhe ia vlen. Unë do të filloj si kadet të përkushtohem në studimet ushtarake dhe do t’i shërbej atdheut”, ka thënë Berat Zeneli për Ekonomia Online.

Qendra për Studime Universitare e FSK-së, e cila funksionon që nga viti 2005, ka nxjerrë deri më tani qindra oficerë, të cilët shërbejnë në nivele dhe njësi të ndryshme të FSK-së.