Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mehaj vlerëson lart pjesëmarrjen në konferencën e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka marrë pjesë të mërkurën, në konferencën e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, në Shtabin e Përgjithshëm të NATO-s në Bruksel, të organizuar nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Këtë pjesëmarrje bashkë me gjeneralin Jashari, Mehaj e ka cilësuar si përfaqësimin më të lartë të deritanishëm në nivelin ndërkombëtar të mbrojtjes.

Në fjalimin e tij në këtë konferencë, Mehaj ka thënë se agresioni i Federatës Ruse ndaj Ukrainës ka detyruar vendet perëndimore ta shikojnë çështjen e sigurisë globale krejtësisht ndryshe, veçanërisht vendet më të vogla.

“Ndihma e Kosovës për Ukrainën, sado simbolike, ka treguar vullnetin e popullit të saj dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ndihmuar Ukrainën në momente të tilla të vështira, ndërsa Rusia vazhdon të bëjë luftë kundër një vendi të pavarur. Me aftësitë dhe përvojat e dëshmuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ne dëshirojmë ta fokusojmë kontributin tonë në mbështetje të Ukrainës me fushat e mëposhtme: trajnime për kërkim-shpëtim; trajnime për deminim, si dhe trajnime për mbrojtje kundër materieve kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore”, ka shtuar Mehaj.

Ministri kosovar i Mbrojtjes ka njoftuar se qeveria do të bëjë gjithçka në kapacitetin dhe fuqinë e saj për të ofruar ndihmën e saj për Ukrainën dhe për të qëndruar së bashku me NATO-n dhe aleatët e saj për të arritur lirinë e Ukrainës.

Mehaj ka thënë se ftesa e SHBA-së në këtë Grup, rikonfirmon besimin e fuqishëm dhe partneritetin e ngushtë mes dy vendeve.