Arbëri

Më 16 dhjetor, vendimi i Speciales për Mustafën

Salih Mustafa

Më 16 dhjetor do të merret vendimi i Gjykatës Speciale për Salih Mustafën, ka konfirmuar trupi gjykues të mërkurën.

Sipas njoftimit të kësaj Gjykate, seanca për aktgjykimin e Mustafës do të nisë nga ora 09:00 të premten e 16 dhjetorit. 

Aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, thuhet në aktakuzën për të cilën do të shpallet aktgjykimi ndaj Mustafës më 16 dhjetor.

Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë.