Arbëri

Vdiq babai i Salih Mustafës, OVL-UÇK kritikon Specialen që s’ia lejoi vizitën

Salih Mustafa

Jahja Mustafa, babai i Salih Mustafës, i dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka vdekur të enjten, kanë bërë të ditur familjarët e tij.

Lidhur me vdekjen e Jahja Mustafës ka reaguar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), e cila ka shprehur indinjatë dhe shqetësim të thellë për refuzimin e Dhomave të Specializuara që t’i mundësojnë Salih Mustafës vizitën te babai, i cili ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në reagimin e saj, OVL-UÇK e ka cilësuar këtë vendim si të pashpjegueshëm dhe johuman, duke theksuar se përbën shkelje të rëndë të parimeve themelore të të drejtave të njeriut dhe standardeve minimale të humanizmit.

“Salih Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe nuk ka ekzistuar asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në ndonjë proces gjyqësor. Refuzimi i një kërkese të tillë humanitare nuk ka as bazë ligjore dhe as morale. Mohimi i së drejtës për t’i qëndruar pranë prindit në momentet e fundit të jetës dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit tejkalon çdo kufi të drejtësisë dhe e zhvesh procesin nga çdo ndjenjë njerëzore”, thuhet në reagim.

Salih Mustafa kishte paraqitur kërkesë për lirim të përkohshëm me qëllim vizitën te babai, por kërkesat e tij ishin refuzuar nga Dhomat e Specializuara.

Salih Mustafa qe dënuar fillimisht në dhjetor të 2022-tës për krime lufte me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Por, në dhjetor të 2023-tës, Apeli i Speciales ia ka ulur dënimin në 22 vjet burgim, para se paneli i Gjykatës së Apelit t’ia shqiptonte atij një vit më vonë një dënim të njësuar prej 15 vjetësh burgim, duke e llogaritur dhe kohën e kaluar në paraburgim.

Mustafa është arrestuar dhe më pas është dërguar në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara më 24 shtator të vitit 2020. Procesi gjyqësor ndaj tij ka nisur më 15 shtator të 2021-tës dhe në të kanë marrë pjesë 29 dëshmitarë – 14 të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe 15 të mbrojtjes. Gjatë gjykimit edhe tetë viktima kanë dhënë dëshmitë e tyre.

Mustafa është personi i parë që është dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë – që njihen edhe si Gjykata Speciale – lidhur me akuzat që kanë të bëjnë me krime lufte.