Pagesat e avokatëve që mbrojnë të akuzuarit në Speciale pritet të ndryshojnë me miratimin e plotësim-ndryshimit të Udhëzimit Administrativ që rregullon këto pagesa. Ministria e Drejtësisë e ka nxjerrë në konsultim publik këtë projektudhëzim. Drafti i ri parasheh që për avokatët që mbrojnë të akuzuarit për veprat penale të pengimit të administrimit të drejtësisë të ketë kategorizim të veçantë
Ministria e Drejtësisë ka marrë iniciativën për plotësim-ndryshimin e Udhëzimit Administrativ që rregullon shumën dhe format e pagesave të mbrojtjes të të akuzuarve në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në Udhëzimin Administrativ në fuqi nuk ka dallime në pagesa për avokatët e të akuzuarve për pengim të administrimit të drejtësisë dhe atyre që mbrojnë klientët nën akuzat për krime lufte.
E në projektudhëzimin e nxjerrë në konsultim publik rregullohet edhe kjo kategori.
Avokati i licencuar në Speciale, Taulant Hodaj, ka thënë se rritja e rasteve të të akuzuarve për pengim të drejtësisë mund të ketë nxitur këtë nismë të Ministrisë së Drejtësisë.
“Nëse e shohim kohën kur po bëhet plotësimi-ndryshimi mund të jetë. Me të vërtetë është interesant, përkundër që Gjykata Speciale është themeluar për trajtimin e krimeve të luftës, tani më shumë ka raste për të akuzuar dhe të paraburgosur që akuzohen dhe janë të ndaluar për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë”, ka theksuar ai.
Deri tani aktakuzat nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për veprat penale të pengimit të administrimit të drejtësisë janë katër. Ajo ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, si epilog ka pasur dënimin e ish-udhëheqësve të Organizatës së Veteranëve të Luftës. Pas vuajtjes së një pjese të dënimit, ata tani janë në liri me kusht.
Të tjera aktakuza janë ndaj Sabit Jonuzit dhe Ismet Bahtjarit, e ndaj Haxhi Shalës dhe ndaj Isni Kilajt.
Tabela në plotësim-ndryshimin e Udhëzimit Administrativ parasheh pagesa deri në 5 mijë euro në fazën e procedurës paraprake dhe në të gjitha fazat e gjykimit, për veprat penale që ndërlidhen me procedurat zyrtare e me zyrtarët e Gjykatës Speciale.
E për kompensimin e avokatëve që mbrojnë klientët e tyre ndaj akuzave për krime lufte nuk kanë ndryshuar vlerat, por para shumës është shtuar fjala “deri në” dhe ato janë të ndara sipas kompleksiteteve.
Avokati Artan Qerkini, i cili gjatë bastisjeve të Speciales, të kryera gjatë tetorit të vitit të shkuar, pati si klientë ish-këshilltarët e ish-presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se në këtë projektudhëzim ka disa paqartësi.
“Aty janë caktuar disa kritere të cilat do të përcaktojnë kompleksitetin e rastit dhe në bazë të kompleksitetit të rastit do të realizohen edhe pagesat. Mirëpo ende nuk dihet se këto kritere a duhet të plotësohen në mënyrë komulative apo duhet të plotësohet së paku njëri prej tyre dhe ende nuk e kam të qartë se kush do ta bëjë vlerësimin e kritereve të cilat do ta përcaktojnë si një çështje penale shumë të vështirë apo shumë të lehtë”, ka thënë Qerkini.
Ministria e Drejtësisë nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me arsyet e kësaj nisme ligjore. Por në dokumentin për konsultim të tij thuhet se ai bëhet për të përmirësuar Udhëzimin aktual.
“Ky projektudhëzim do të përcaktojë procedurat e aplikimit për mbrojtje juridike pranë Njësisë në Ministrinë e Drejtësisë, si dhe përcaktimin e tarifave dhe procedurave për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike për kompensimin e punës dhe shpenzimeve të avokatëve mbrojtës”, thuhet në dokument.
Pagesat për avokat me Udhëzimin Administrativ në fuqi parashohin kompensimin më të ulët në vlerë prej 20 mijë eurosh, e ai më i larti është 110 mijë euro.
