Janë ulur tarifat për avokatët e të akuzuarve për pengim të drejtësisë në Gjykatën Speciale, ka konfirmuar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ajo ka bërë të ditur të mërkurën se ka hyrë në fuqi Udhëzimi Administrativ që rregullon shumën dhe format e pagesave të mbrojtjes së të akuzuarve.
Të martën, Dhomat e Specializuara të Hagës kërkuan nga MD-ja të informojë për statusin financiar në procesin gjyqësor ndaj Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit e Haxhi Shalës. Ministrja ka thënë se MD-ja u ka kthyer përgjigje. Sipas saj, dokumentacioni s’është i plotë dhe është kërkuar plotësimi i tij, para shqyrtimit të kërkesës.
Me këtë rast, ajo ka bërë të ditur ndryshimin e tarifave. Ka shtuar se Qeveria e ka fokusin te palët që akuzohen për krime lufte dhe jo te ata që akuzohen për pengim të drejtësisë.
“Keni parasysh se ka hyrë në fuqi ndryshimi i udhëzimit të ri që parasheh ulje të tarifave për personat që akuzohen për pengim të drejtësisë. Si Qeveri fokusi duhet të jetë që të adresohen kërkesat e ekipeve mbrojtëse për personat që akuzohen për krime lufte. Ky është qëllimi kryesor. Ata që pengohen për pengim të drejtësisë mendoj se s’u bën mirë as vetë atyre që po akuzohen. Duke pasur parasysh kompleksitetin kemi bërë ulje të këtyre tarifave”, ka thënë ajo.
Deri më tash Shala në njërën anë dhe Januzi e Bahtijari në anë tjetër, ishin në procese të ndara gjyqësore. Ata akuzohen për pengim të administrimit të drejtësisë.
Edhe
Rrëzohet kërkesa për modifikimin e dënimit të Haxhi Shalës
Koha pati raportuar në fund të janarit për këtë Udhëzim Administrativ. Aty bëhej e qartë që drafti parashihte kategorizim të veçantë për avokatët që mbrojte të akuzuarit për veprat penale të pengimit të drejtësisë.