Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbyllet sezoni i gjuetisë në Kosovë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa ka marrë vendim për mbylljen e sezonit të gjuetisë për periudhën 2019 – 2020.

Sezoni i gjuetisë për të gjitha llojet e kafshëve të egra në tërë territorin e Republikës së Kosovës do të mbyllet me 18 shkurt të këtij viti, theksohet në njoftimin për media të kësaj ministrie

Mbyllja e sezonit të gjuetisë është bërë me kërkesën e Departamentit të Pylltarisë në MBPZhR, i cili ka vlerësuar se ka zvogëlim të kafshëve të egra, krejt kjo si pasojë e gjuetisë ilegale, degradimit të habitateve natyrore e sidomos pyjeve, kushteve të pavolitshme klimatike dhe për shkak të menaxhimit joefikas të faunës së egër.

Këtë vendim obligohen që ta zbatojnë Agjencia Pyjore e Kosovës, Federata e Gjahtarëve të Kosovës, menaxherët e vendgjuetive, si dhe drejtoritë komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural.

Sezoni i gjuetisë për periudhën 2019-2020 ishte hapur më 13 tetor të vitit 2019 dhe organizimi i gjuetisë gjatë kësaj periudhe është bërë nga menaxherët e vendgjuetive nën mbikëqyrjen e e MBPZhR-së dhe komunave.