Arbëri

Mbyllen tri institucione serbe në Mitrovicë të Veriut

Veri - strukturat paralele

FOTO: ILUSTRIM

Foto: Driton Paçarada

Policia e Kosovës njoftoi se ka hyrë brenda një objekti në Mitrovicë të Veriut, e ftuar nga kjo komunë, ku në të ishin të vendosura tri institucione të tjera serbe.

Zëvendëskomandanti policor për pjesën veriore, Veton Elshani, njoftoi për KOHËN se në të operonin Institucioni për sport, rini dhe shërbime të specializuara, Lidhja Sportive dhe Shoqëria Kulturore-Artistike “Kosovski božur”.

Ai bëri me dije se Komuna e Mitrovicës së Veriut i ka ftuar që të veprojnë në marrjen e asaj pjese me pretendimin se objekti i takon asaj, teksa Elshani shtoi se gjithçka ka shkuar pa pengesa.

“Zyrtarët komunalë kërkuan asistencën tonë për të hyrë në pronën që ata e konsiderojnë si të tyren. Ata hynë dhe më pas punonjësit e atyre institucioneve dolën nga hapësirat. Nuk pati asnjë problem”, ka njoftuar Elshani.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se hapësirat e uzurpuara prej dekadash nga strukturat paralele, po kthehen në shfrytëzim të komunave dhe institucioneve të Kosovës.

“Në vazhdën e mbylljes së secilit paralelizëm institucional sot u kthye në pronësi të komunës së Mitrovicës së Veriut objekti i cili deri tash ishte shfrytëzuar nga strukturat paralele, përkatësisht nga e ashtuquajtura Zyrë për Sport, Rini dhe Shërbime të Specializuara. Po ashtu, në një aksion ngjashëm është zhvilluar te stacioni i pompave të ujit në fshatin Suhodoll të Mitrovicës së Veriut”.