Në 7:00 të mëngjesit fillon punën së bashku me kolegët e tij për të mbledhur mbeturinat derë më derë nëpër lagjet e Prishtinës.
Xhavit Arifi udhëton çdo ditë nga Mitrovica për të punuar në kompaninë “Pastrimi”, pasi si kryefamiljar mban familjen e tij.
Ai tregon për vështirësitë që po hasin më së shumti, sidomos gjatë ngasjes së kamionit nëpër rrugët që nuk janë mirë të asfaltuara apo të ngushta.
“Disa nuk i paketojnë mirë dhe kanë vështirësi punëtorët. Munden edhe të helmohen. Ndërsa unë kam vështirësi shumë të madhe në komunikacion, veturat parkohen vend e pavend dhe kështu me radhë përballemi. Duhet të presim. Ka raste që vazhdojmë në ndonjë rrugë tjetër, pastaj duhet të kthehemi përsëri më vonë dhe e provojmë edhe njëherë ne duhet t’i përfundojmë ato”, thotë Xhavit Arifi.
Shportat plastike prej 120 litrash janë ato që duhet të ketë secila familje pranë derës së tyre në ditën që kamionët e “Pastrimit” shkojnë për të grumbulluar mbeturinat.
“Zakonisht ne fillojmë në ora 7 të mëngjesit dhe përfundojmë në ora 3. Nëse kemi vonesa ose prishje të kamionit mbesim ende, dhe ato orë paguhen jashtë orarit...vështirësitë ka, qytetarët ende nuk janë të vetëdijesuar sa duhet, nuk i fusin mbeturinat mirë, ka ende kanta të hekurit, është shumë vështirësi. Kemi probleme, teknika na është vjetërsuar.”
Shërbimi derë më derë ka vazhduar edhe në pandemi. Duke qenë të familjarizuar me banorët, punëtorët thonë se kanë bërë kujdes kur kanë kryer shërbime në shtëpi ku kishte të infektuar me virus”, deklaroi Xhemajl Kadriu, punëtor në kompaninë “Pastrimi”.
“Ne spitalin e kryejmë edhe dimë raste kur kemi shkuar të marrim mbeturinat prej shtëpive në të cilat kanë pas virusin, por shërbimin e kemi kryer duke pasur kujdes të shtuar”, shtoi tutje Kadriu.
Zëdhënësja e “Pastrimit”, Arbnora Ademi, ankohet për infrastrukturën në deponinë e Mirashit, e cila po shkakton defekte në kamionë.
“Kemi kosto shumë të lartë pasi kemi shumë kamionë që kanë filluar të amortizohen. Pastaj obligimet që qytetarët e Prishtinës nuk i kryejnë. Pastaj infrastruktura nuk është e mirë në deponinë e Mirashit që po na shkakton defekte të kamionëve, megjithatë ne si kompani po mundohemi t’ia dalim që qytetarëve t’ua ofrojmë një shërbim sa më të mirë”, tha Ademi.
Ekipi i përbërë nga Kadriu dhe Arifi shërbimin derë më derë e bën të hënën në lagjet “Kodra e diellit” dhe Matiçan. Ditën e martë në Kolovicë. Të mërkurave ata janë duke grumbulluar mbeturina në fshatrat e Komunës së Prishtinës.