Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Komuna e Prishtinës paralajmëron kallëzim penal për kufizimin e orarit të deponisë në Mirash

Komuna e Prishtinës

Autoritetet në kryeqytet kanë paralajmëruar veprime, pas vendimit të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive që ta kufizojë orarin e Deponisë së Mirashit. Zyrtarët komunalë paralajmëruan padi dhe akuzuan qeverinë për pengim në masat për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave

Zyrtarë të Komunës së Prishtinës kanë paralajmëruar kallëzim penal ndaj kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive, Dardan Velia, për kufizimin e orarit të deponisë në Mirash.

Nënkryetarja e Komunës, Besianë Musmurati, akuzoi Qeverinë për qëndrim pas vendimit.

“Nuk do të lejojmë që misionarët e Albin Kurtit për sabotimin e Prishtinës, Dardan Velija me një anë e Hekuran Murati në anën tjetër, ta bllokojnë pastrimin e Prishtinës. Për këtë arsye Komuna e Prishtinës do të bëjë kallëzim penal ndaj Dardan Velisë për mbylljen e qëllimshme të deponisë dhe për përgjegjësinë që ka për pasojat që sjell kjo mbyllje”, ka thënë Musmurati.

Ndërkaq, drejtori i Shërbimeve Publike në kryeqytet, Leutrim Retkoceri, ka thënë se përpjekjet e komunës për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave përballen me pengesa.

“Pavarësisht të gjitha veprimeve që ka ndërmarrë Komuna e Prishtinës, nga themelimi i ndërmarrjes së re, ndryshimi i rregullores dhe marrëveshjeve që janë votuar në Kuvendin Komunal së fundi, ne vazhdojmë të përballemi me pengesa nga niveli qendror në përpjekjet tona për të përmirësuar menaxhimin e mbeturinave”, ka thënë Retkoceri.

Një ditë më parë, në kompaninë përgjegjëse për grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet – “Pastrimi”, kanë hequr përgjegjësinë nga vetja për tejmbushjen e kontejnerëve.

Kryeshefi i kompanisë “Pastrimi”, Petrit Reçica, ka thënë se nga 1 tetori Kompania për Menaxhimin e Deponive ka vendosur ta mbyllë deponinë në Mirash gjatë orëve pas mesnatës dhe se ky kufizim e ka vështirësuar punën.

“Situata ka filluar të vështirësohet, për shkak se punën tonë të rregullt e kemi pasur 24-orëshe, pa ndërprerje, dhe puna është kryer 100%, sidomos nga ora 21:00 deri në 04:00 të mëngjesit. Ky kufizim i orarit që është bërë, na ka kufizuar në vetëm tri orë punë, ndërsa pesë orë të tjera nuk mund të kryejmë shërbim për shkak të kufizimit të orarit”, ka thënë ai në emisionin “tre8tre” në KTV.

Qëndrimit i është kundërvënë Kompania për Menaxhimin e Deponive. Në një reagim të saj të publikuar të martën thuhet se deponia në Mirash ka qenë e hapur 24 orë në ditë vetëm gjatë tre muajve të verës – korrik, gusht dhe shtator.

Sipas saj, kufizimi është bërë pasi është analizuar fluksi i pranimit të mbeturinave, shfrytëzimi i kapaciteteve njerëzore dhe teknike, kostot operative dhe kushtet e sigurisë dhe shëndetit në punë.

“Në Deponinë Sanitare në Mirash, numri i automjeteve që paraqiten për deponimin e mbeturinave gjatë orëve të natës është relativisht i vogël në raport me aktivitetin gjatë ditës. Kjo situatë ka ndikuar në rritjen e kostove operative dhe në shfrytëzimin jo të plotë të kapaciteteve njerëzore dhe teknike”, thuhet në reagim.

Por, Reçica ka alarmuar se ky kufizim mund ta rëndojë edhe situatën e shëndetit publik.

Pakënaqësi me shërbimet e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” kanë pasur edhe shumë komuna, disa prej të cilave i kanë ndërprerë shërbimet, siç janë Komuna e Obiliqit dhe ajo e Fushë-Kosovës.

Shumë nga komunat e rajonit të Prishtinës kanë ndërmarrë nismat për të krijuar ndërmarrje komunale që menaxhon me mbeturinat.