Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë ka zhvilluar një operacion hetimor lidhur me një rast të dyshuar të përgatitjes së një vrasjeje.
Operacioni është realizuar të shtunën, ndërsa janë ndaluar dy persona për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘’Përgatitja e veprës penale të vrasjes e rëndë’’ nga neni 173, lidhur me nenet 27 dhe 31 të KPRK-së, si dhe veprës penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Në kuadër të këtij operacioni, janë realizuar kontrolle dhe bastisje në disa lokacione në Prishtinë, Obiliq dhe Gjakovë, me qëllim të lokalizimit të personave të dyshuar, sigurimit të provave materiale dhe ndriçimit të plotë të rrethanave të rastit”, ka njoftuar Prokuroria.
E sot në mëngjes është arrestuar edhe i dyshuari i tretë.
“Ndërkohë sot më datë 29.11.2026, me urdhër të Prokurorit kujdestar është ndaluar edhe një (1) person tjetër për 48 orë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ‘’Përgatitja e veprës penale të vrasjes së rëndë’’ nga neni 173, lidhur me nenet 27 dhe 31 të KPRK-së, si dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”.
Gjatë kontrolleve, janë sekuestruar armë dhe municion, përkatësisht një (1) pistoletë me shurdhues dhe pesë (5) fishekë të gjetur në automjetin e dyshuar, si dhe një (1) armë të shkurtër të llojit TT me shtatë (7) fishekë, e gjetur në shtëpinë e njërit prej personave të dyshuar.
“Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, pranë gjykatës kompetente do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personave të dyshuar. Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, parandalimin e veprave të rënda penale, si dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për lokalizimin dhe arrestimin e personave të tjerë të dyshuar që ndodhen në arrati”, ka njoftuar Prokuroria.