Mbi 300 mijë qytetarë janë gjobitur për mosrespektim masash kundër COVID-19 që nga 28 gushti i 2020-s e deri më 18 dhjetor të 2021.
Policia e Kosovës ka shqiptuar këto gjoba pas miratimit të Ligjit për pandeminë, kur edhe iu lejua zyrtarëve policorë që të kontribuojnë në monitorimin e zbatimit të masave kundër COVID-19.
Në një përgjigje të Policisë së Kosovës thuhet se ky institucion përveç angazhimit në terren është angazhuar edhe në fushata vetëdijesuese, teksa është kërkuar respektim i masave për të ulur shifrat e të prekurve dhe për të mbrojtur shëndetin.
E në lidhje me shumën e këtyre gjobave nga PK-ja kanë thënë se duhet t’u referohemi autoriteteve të tjera.
“Me qëllim të respektimit të masave mbrojtëse, parandalimit të përhapjes së pandemisë duke vënë në pah interesin e shëndetit publik, Policia e Kosovës sipas planifikimeve ka filluar me kohë realizimin e detyrave konkrete në gjithë territorin e Kosovës, duke aplikuar kontrolle të përbashkëta në trafik, në transportin e udhëtarëve, në qendra tregtare, lokale afariste, pika kufitare etj., përfshirë edhe shqiptimin e gjobave ndaj atyre që nuk zbatojnë këto masa. Nga data 28.08.2020 deri 19.12.2021 janë shqiptuar 303023 fletëparaqitje ( tiketa) ne baze te ligjit anti-COVID 19. Policia e Kosovës po ashtu përpos angazhimeve operacionale në terren, është angazhuar edhe në parandalim me fushata dhe publikime vetëdijësuese. Njëkohësisht PK kërkon te të gjithë qytetarët, institucionet dhe bizneset që të respektojnë vendimet e fundit të marra nga qeveria e vendit, që t’u përmbahen rregullave dhe të respektojnë masat anti COVID në mënyrë që, të arrijmë t’i ulim shifrat e të prekurve dhe të mbrojmë të gjithë së bashku shëndetin publik, në të kundërtën merren masa ndëshkuese. Ndërsa lidhur me pagesa iu adresoheni autoriteteve kompetente”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Shifra të larta të gjobave janë edhe për bizneset e që janë shqiptuar nga Inspektorati i Agjencisë së Ushqimit e Veterinarisë. Gjithsej gjatë 2021-tës janë mbi 6 mijë gjoba të shqiptuara për mosrespektim të vendimeve të Ekzekutivit.
Derisa nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk janë përgjigjur në lidhje me këtë. Por, sipas Ligjit për pandeminë, mosmbajtja e maskës është e dënueshme për personat fizikë, 35 euro, derisa dënimet për biznese arrijnë deri në 2 mijë euro.
Meqë Policia e Kosovës është marrë më së shumti me shqiptimin e gjobave për persona fizikë, shuma e rreth 300 mijë gjobave të shqiptuara për më shumë se 1 vit llogaritet të jetë rreth 10 milionë euro.
Por për qytetarët të cilët nuk paguajnë dënimin duhet të merren me procedura të tjera.
Megjithatë, për disa qytetarë gjobitja nuk po duket edhe shumë e arsyeshme dhe pse sipas tyre, nuk po e tregon efektin e vetëdijesimit.
Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19 hyri në fuqi gjatë gushtit të vitit 2020, ligj ky që ka krijuar bazën ligjore për institucionet shtetërore për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.