Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbi 10 milionë euro borxhet e pesë komunave për “Ekoregjionin”

Mbi 10 milionë është shifra e borxheve që qytetarët, bizneset e pesë komunave të rajonit të Prizrenit ia kanë kompanisë rajonale të mirëmbajtjes “Ekoregjioni”, bazuar në të dhënat që ia ka ofruar kjo ndërmarrje KOHËS.

Gati 9 milionë është borxhi i amvisërisë, ndërsa mbi 550 mijë i institucioneve komunale. Komuna e Prizrenit prin në këtë pikë me mbi 6.3 milionë euro borxhe në total. Pas saj vjen Suhareka me 1 milion e 213 mijë, ndërsa Malisheva është e treta me 1.2 milionë euro borxh. 820 mijë euro është borxhi i amvisërisë, bizneseve dhe institucioneve në Rahovec, ndërsa në Dragash rreth 742 mijë.

Njësia kësaj kompanie rajonale në Malishevë po i kërcënon me përmbarues borxhlinjtë, të cilët nuk po i kryejnë obligimet e tyre.

Sejdi Paçarizi, shefi i kësaj njësie e ka konfirmuar këtë dhe ka treguar për KOHËN se qytetarët i kanë borxh rreth një milion euro, ndërkaq institucionet komunale rreth 200 mijë euro.

Të mërkurën Paçarizi ka bërë me dije se qytetarët pas vërejtjeve që u janë dërguar për marrjen e borxhit me përmbarues, po negociojnë me kompaninë për pagesën me këste dhe ka njoftuar se ka një përgjigje mjaft të mirë të marrjes së obligimeve nga qytetarët. Paçarizi ka treguar se po negociohet edhe me komunën për arkëtimin e borxhit prej rreth 200 mijë eurosh, për të cilat po ashtu i është tërhequr vërejtja se mjetet do të merren përmes përmbaruesit nëse s’kryhen obligimet.

Edhe Klientët kanë miliona euro detyrime ndaj kompanive, e kompanitë ndaj deponive Arbëri Klientët kanë miliona euro detyrime ndaj kompanive, e kompanitë ndaj deponive

Qytetari Ibrahim Morina është njëri nga ata që ka marrë vërejtje para ngritjes së procedurës për ekzekutim te përmbaruesi privat për pagimin e borxhit në afat prej 30 ditësh.

“Ju njoftojmë se ky veprim mund të ndalet vetëm nëse klienti bën pagesën e tërësishme të borxhit, ose duke lidhur kontratë për pagesën e borxhit me këste”, thuhet ndër të tjera në vërejtjen dërguar qytetarit ku tërhiqet vërejtja se edhe shpenzimet e përmbaruesit do të paguhen nga klienti.

Ai ka bërë me dije për KOHËN se ka vendosur të bëjë marrëveshje me kompaninë dhe të paguajë borxhin me këste.

Morina ka treguar se nuk ka paguar asnjëherë fatura për shërbimin e grumbullimit të mbeturinave dhe se tani është grumbulluar një shumë bukur e madhe.

Paçarizi nga njësia “Ekoregjioni” ka bërë me dije se qytetarët ngarkohen me një faturë mujore prej 4.5 eurosh për grumbullimin e mbeturinave.

Edhe Borxhi ndaj KRU “Prishtina” kalon 45 milionë euro, paralajmërohen shkyçje dhe përmbarim Arbëri Borxhi ndaj KRU “Prishtina” kalon 45 milionë euro, paralajmërohen shkyçje dhe përmbarim

Në anën tjetër kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati ka bërë me dije të mërkurën për KOHËN se pas marrjes së postit të kryetarit para pak ditësh tani po përballet me borxhet ndaj “Ekoregjionit” dhe se po përpiqet të përmbushë obligimet.

“Jemi në bisedime, sa di unë borxhi është më i vogël se sa po thuhet dhe janë borxhe të disa viteve, po bisedojmë me kompaninë dhe do të përpiqemi të kryejmë pagesat, pa pasur nevojë të shkohet te pagesa detyruese”, ka thënë Kastrati.