Shkelje ligjore ka evidentuar Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë (KPMSHCK) gjatë shqyrtimit të ankesave të 5 drejtorëve të departamenteve, të cilët Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) i largoi nga pozitat e tyre dy muaj më parë.
Të larguarit nga këto pozita, Murteza Osdautaj, Drita Kadriu, Ferit Idrizi, Alush Istogu dhe Isni Kryeziu pas largimit të tyre fillimisht kishin bërë ankesa në MASHT e më pas edhe në KMPSHCK, shkruan sot Koha Ditore.
Në vendimin që Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë e ka nxjerrë të premten është konstatuar se ekziston bazë ligjore që lënda e ankuesve të kthehet në rishqyrtim. Me këtë vendim këshilli e ka obliguar sekretarin e përgjithshëm të MASHT-it që të rishqyrtojë rastin e tyre.
Ministria e Arsimit në fillim të muajit tetor, duke u bazuar në Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës i kishte larguar gjithsej 32 persona nga pozitat udhëheqëse. Kjo me arsyetimin se po i sistematizojnë vendet e punës në MASHT. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)