Padi për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) kanë paralajmëruar drejtorët e departamenteve dhe udhëheqësit e divizioneve, të cilët kjo ministri i largoi nga pozitat e tyre.
Si shenjë pakënaqësie ndaj vendimeve të larguarit kanë thirrur protestë për të martën, e cila do të mbahet para objektit të Ministrisë, shkruan sot Koha Ditore.
Rreth 30 drejtorë e udhëheqës të MASHT-it të cilët kanë pasur aktemërim të përhershëm (vend i përhershëm i punës) janë larguar të enjten nga pozitat e tyre. Një pjesë e tyre janë sistemuar si koordinator ose ushtrues detyre e disa nga ta ende nuk kanë marrë vendim se në çfarë pozitash janë emëruar. Në vend të drejtorëve dhe udhëheqësve të larguar, MASHT-i ka emëruar ushtrues detyre deri në përfundimin e procedurave të rekrutimit.
Përmes një letre të drejtuar të hënën, të larguarit nga pozitat i kanë kërkuar sekretarit të MASHT-it, Ekrem Kastrati, që urgjentisht t’i anulojë vendimet. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)