Arbëri

Masakra e Mejës: Familjarët presin drejtësi, liderët pranojnë se s’është bërë mjaftueshëm

Fshati Mejë të enjten ishte adresë e qindra qytetarëve, por edhe e liderëve institucionalë e partiakë që shkuan për homazhe. 24 vjet pas masakrës së kryer nga forcat serbe në këtë fshat, familjarët vazhdojnë të presin për drejtësi. Udhëheqësit e institucioneve pranuan se nuk është bërë mjaftueshëm në këtë drejtim

Liderë institucionalë e partiakë, të enjten, në 24-vjetorin e masakrës së Mejës, më e madhja që kryen forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, bënë homazhe në kompleksin memorial në këtë fshat të Gjakovës.

Por, me ta, janë të pakënaqur familjarët e viktimave.

“As s`vjen kush me thanë i kanë lanë 10 jetima. Nuk është ardhë më thanë a kanë bukë me hangër e lypin votën e sen”, ka thënë një familjar.

Pas homazheve, kryeministri Albin Kurti e kryekuvendari Glauk Konjufca u takuan me familjarët e viktimave të Masakrës së Mejës.

Kurti tha se drejtësia ende nuk është vënë në vend, derisa shtoi se Serbia i ka vrarë njerëzit vetëm pse ishin shqiptarë.

“Në mesin e të vrarëve këtu në Mejë janë edhe 11 nxënës e 20 arsimtarë. Pra, janë vrarë shqiptarët pa dallim moshe, gjinie, prejardhje, feje. Ju i shihni këtu varret bashkë të myslimanëve dhe katolikëve, vetëm pse ishin shqiptarë”, u shpreh Kurti.

Fajin për mungesën e drejtësisë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ua la institucioneve vendore e ndërkombëtare.

“Deri më tash ka pasur fare pak interesim edhe prej mekanizmave tonë shtetërorë të drejtësisë, por edhe prej mekanizmave ndërkombëtarë që drejtësia të vihet në vend për këta familjarë. Sepse qe 24 vjet janë duke jetuar me tmerrin e ankthit prej mëngjesit deri në mbrëmje, 24 vjet duke mos e ditur shumica prej tyre as fatin e më të dashurve të tyre”, tha Konjufca.

Masakra e Mejës është kujtuar edhe nga presidentja Vjosa Osmani. Përmes një njoftimi përcjellë mediave, Osmani tha se Meja është plagë e përhershme.

“Në Mejë ka ende varre të hapura, ka nëna që vijnë aty dhe qajnë pranë varrit të zbrazët, sepse regjimi serb ende i mban të fshehura të dhënat për vendndodhjen e të vrarëve të Mejës e të gjithë Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

E liderët opozitarë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, thanë se liria ende nuk ka ardhur. Sipas tyre, nuk mund të ketë drejtësi pa u gjetur edhe personi i fundit i zhdukur.

"Si në çdo ditë tjetër, por ne mënyrë të veçantë kur i kujtojmë të pagjeturit, dhimbjen e pambaruar të familjarëve tanë, por të kombit tonë në përgjithësi, nuk ka se si mos mendojmë që nuk është bërë mjaftueshëm”, tha Krasniqi.

“Gjithë këta janë vrarë, e vërtetë pa arsye dhe pa asnjë të drejtë, civilë janë ndarë nga familjet e tyre. Një pjesë e trupave të tyre janë marrë në Serbi edhe sot ka ende të pagjetur”, deklaroi Haradinaj.

Më 27 prill 1999, pasi u ndanë nga kolona e nisur drejt Shqipërisë, 376 shqiptarë u pushkatuan nga forcat policore serbe. 13 persona janë ende të zhdukur.