Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

​Në 24-vjetorin e masakrës së Mejës, Konjufca dhe Kurti kërkojnë të veprojë drejtësia

Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Mejë. Në përvjetorin e kësaj masakre dhe në Ditën e të pagjeturve, ata kanë bërë thirrje për drejtësi dhe efikasitet të këtij sistemi.

Kurti ka theksuar se 24 vjet më parë, shqiptarët u vranë në mënyrë mizore nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit.

"24 vjet më vonë nuk kemi ende drejtësi dhe nuk kemi ende rehabilitim për familjet e viktimave dhe për mbarë popullin tonë. Dje në mbledhjen e qeverisë e iniciuam aderimin në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe në Kuvend do të ratifikohet në mënyrë që në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare të bëjmë hapa drejt zbardhjes së fatit të të pagjeturve, të atyre që u zhdukën me dhunë, që i rrëmbyen me forcë duke kërkuar edhe të vërtetën edhe përgjegjësinë, drejtësinë", ka thënë ai.

Kurti ka deklaruar se në vitet e kaluara, në Policinë e Kosovës hetimet për krimet e kryera kanë qenë vetëm një sektor në kuadër të Drejtorisë për Krimet e Rënda, ndërkaq tani është bërë drejtori e veçantë.

Më tej, ai deklaroi se kanë shtuar buxhetin për prokurorinë, me shtimin edhe e numrit të prokurorëve.

Edhe Masakra e Mejës: Familjarët presin drejtësi, liderët pranojnë se s’është bërë mjaftueshëm Arbëri Masakra e Mejës: Familjarët presin drejtësi, liderët pranojnë se s’është bërë mjaftueshëm

"Në mesin e të vrarëve këtu në Mejë janë edhe 11 nxënës e 20 arsimtarë. Pra, janë vrarë shqiptarët pa dallim moshe, gjinie, prejardhje, feje. Ju i shihni këtu varret bashkë të myslimanëve dhe katolikëve, vetëm pse ishin shqiptarë. Shqiptarët ishin bashkë edhe ne luftë çlirimtare, por ata u vranë bashkë edhe prej forcave gjenocidale të Serbisë. Dhe tash ne i kujtojmë me mall e dhimbje si martirë e dëshmorë të kombit tonë", ka shtuar Kurti.

Kurti edhe në Mejë ka kërkuar efikasitetin e sistemit të drejtësisë por edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve.

Shefi i ekzekutivit është pyetur se kur do të përfundojnë punimet në Kompleksin Memorial në Mejë, ku tha se prioriteti kryesor duhet të jetë drejtësia.

"Ministria e Kulturës, Rinisë dhe të Sportit por edhe gjithë qeveria është duke u angazhuar që në njërën anë të ndajmë mjete dhe në anën tjetër të kryejmë punimet në mënyrë që memorialet të jenë në nivelin e duhur për kujtesën tonë kolektive, por edhe në aspektin e qëndrueshmërisë materiale dhe estetike. Edhe këtë ne do ta përfundojmë", ka theksuar Kurti.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se sot po kujtojnë aktin më të madh të gjenocidit qe ka ndodhur në Kosovë.

"377 shqiptarë janë ekzekutuar mizorisht prej forcave të ushtrisë dhe policisë së Serbisë. Kjo ditë po ashtu është dita e të zhdukurve me dhunë në Republikën e Kosovës. Së pari, duhet të flasim për atë që e ka bërë ketë masakër, shteti i Serbisë, përgjegjësia është në shtetin e Serbisë meqë çdo segment qe ka marrë pjesë është e qartë urdhërdhënia, është e qartë përgjegjësia shtetërore, komanduese brenda ushtrisë, brenda aparatit shtetëror. Prandaj, ne gjithmonë duhet ta specifikojmë se përgjegjësi dihet, personat që e kanë kryer këtë masakër dihen. Ajo që ka munguar, e vetmja, është drejtësia që nuk ka ardhur në vendin tonë”, është shprehur Konjufca. Ai ka thënë se gjithmonë duhet ta kujtojmë e kurrë nuk duhet ta harrojmë që ky është një krim i shumëfishtë. “Për shkak se jo vetëm është planifikuar, ekzekutuar nga ana e Serbisë, por shumë prej të vrarëve janë rrëmbyer e trupat e tyre janë zhdukur. 36 persona jomadhorë janë ekzekutuar në këtë masakër, janë të mitur. Dhe për ketë deri tashmë askush nuk ka dhënë përgjegjësi serioze", ka thënë Konjufca.

Edhe Haxhiu e Kurti kërkojnë sërish nga Serbia t’i hapë arkivat për të pagjeturit LAJMET E MBRËMJES Haxhiu e Kurti kërkojnë sërish nga Serbia t’i hapë arkivat për të pagjeturit

Ai i ka bërë thirrje drejtësisë vendore e ndërkombëtare që ta kryejnë punën, meqë dëshmitarët janë ende gjallë dhe kanë parë se çfarë ka ndodhur 24 vjet më parë.

"Deri më tash ka pasur fare pak interesim edhe prej mekanizmave tonë shtetërorë të drejtësisë, por edhe prej mekanizmave ndërkombëtarë që drejtësia të vihet në vend për këta familjarë. Sepse që 24 vjet janë duke jetuar me tmerrin e ankthit prej mëngjesit deri në mbrëmje, 24 vite duke mos e ditur shumica prej tyre as fatin e më të dashurve të tyre", ka deklaruar Konjufca. / KP