Arbëri

Tetë vjet pas marrëveshjes për hapje të urës mbi Ibër shtohen thirrjet që të mbetet e mbyllur

Pas BE-së e KFOR-it, të dielën edhe nga SHBA-ja kanë thënë se nuk është koha e duhur për hapje të plotë të urës mbi lumin Ibër. Më 2015 ishte arritur marrëveshje në Bruksel për hapje të saj, por kjo nuk ka ndodhur, e po kundërshtohet si ide edhe tash, kur organet e reja komunale të Mitrovicës së Veriut kanë marrë vendim për zhbllokim

Në kuadër të dialogut teknik më 2015, Kosova e Serbia u morën vesh për mundësimin e qarkullimit për këmbësorë e vetura në urën kryesore të Mitrovicës, që lidh jugun me veriun.

Atëkohë Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Hashim Thaçi njoftoi qytetarët se ura do të hapej “për automjete dhe këmbësorë jo më larg se fundi i qershorit 2016”.

Me këtë marrëveshje u hoq edhe barrikada që kishin ngritur serbët skaj urës në pjesën veriore dhe Bashkimi Evropian u bë pjesë e projektimit dhe rivitalizimit të urës që synohej të shndërrohej nga një simbol i konfliktit të ngrirë e ndarjes etnike, në një simbol të paqes dhe bashkëjetesës.

Dhe tash, që autoritetet e reja komunale në Mitrovicë të Veriut, të udhëhequra nga Vetëvendosje, kanë kërkuar zhbllokimin e urës për vetura, thirrjet janë shpeshtuar që ajo të mbetet e mbyllur edhe për një kohë. Të dielën këtë e ka kërkuar edhe ambasadori i SHBA-së në Beograd, Chistopher Hill.

“Kur të përfundojë Asociacioni do të shohim për aspektet e tjera të normalizimit”, ka thënë Hill për televizionin e Serbisë “Pink”, duke nënvizuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të ndodhë para të gjithave. Ai iu bashkua mesazheve nga BE-ja e KFOR-i se nuk është koha për zhbllokimin e plotë të urës.

Në fakt, sipas marrëveshjes së vitit 2015, me procesin, krahas ekipit negociator atëherë të udhëhequr nga Edita Tahiri dhe Marko Gjuriq, do të merrej edhe ekipi implementues që përfshinte edhe kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut.

Me planin e pajtuar nga shefat e delegacioneve teknike, Tahiri e Gjuriq, më 5 gusht 2016, parashihej që i gjithë procesi të përfundonte në fillim të vitit 2017.

“Ura do të çelet për të gjitha llojet e qarkullimit më 20 janar 2017. Në përputhje me këto fate, Mitrovica Veriore do ta rivitalizojë rrugën kryesore – rruga ‘Mbreti Petar’ si zonë për qarkullim këmbësorësh. Punimet nisin dhe mbarojnë të njëjtën ditë si punimet në dhe përreth urës”, thuhet në Planin e Zbatimit të Marrëveshjes për Urën.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, që udhëhiqte Komunën e Mitrovicës së Veriut, pati ndërprerë punimet, duke shkelur afatet e marrëveshjes. Kjo parti edhe në atë kohë pati kërkuar së pari formimin e Asociacionit dhe e zvarriste punën duke pretenduar se lëshimi i urës për qarkullim të plotë do të rrezikonte serbët. Kjo parti, edhe tash që është rihapur si temë, ka kërcënuar se rifunksionalizimi i urës do të sjellë incidente.

Sipas kryetarit të atëhershëm të Mitrovicës, Agim Bahtiri, rezistencë më 2018 për hapjen e urës treguan edhe ndërkombëtarët, kur edhe u paralizua puna e ekipeve zbatuese.
“Filluan një marrëveshje tjetër që dëshironin ta bënin për ta ndarë Kosovën dhe aty ngeci situata që të mos zgjerohej ajo urë. Më thoshin Bashkimi Evropian në atëkohë se kemi një marrëveshje shumë më të madhe se kjo dhe po e përfundojmë çështjen e veriut dhe të Kosovës”, ka thënë Bahtiri për KOHËN.
Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti e ka mbështetur iniciativën e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut për ta hapur për qarkullim për vetura urën kryesore që lidh jugun me veriun. Por përsëri rezistues janë shprehur Lista Serbe dhe komuniteti ndërkombëtar.

“Vendimi për heqjen e pengesave të tilla është veprim i drejtë dhe i duhur. Kosova është e gjithë qytetarëve të saj dhe ata gëzojnë të drejtën të lëvizin lirshëm në gjithë territorin e saj”, ka thënë për REL-in, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut që u dorëhoq vitin e kaluar, Milan Radojeviq, ka kundërshtuar hapjen e urës përmes një statusi në Facebook.

“Vendimi për hapjen eventuale të urës së qytetit mund të bëhet vetëm nga serbët, qytetarë të Mitrovicës së Kosovës dhe veriu ka paguar çmim të lartë që serbët të vazhdojnë të jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës së Kosovës, por edhe në komunat e tjera të veriut”, shkroi Radojeviq.
Pavarësisht vonesave për zbatimin e marrëveshjes për urën, KFOR-i e BE-ja e kanë kundërshtuar haptas hapjen e urës për qarkullim të veturave, duke thënë se nuk është koha për këtë gjë.
“Rihapja e urës së Austerlitz -it është një çështje që duhet zgjidhur përmes dialogut politik. KFOR-i gjithashtu vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga BE-ja të mund të ecin përpara”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it, duke iu referuar urës së ngjashme në Francë me histori të përgjakshme të luftërave të Napoeon Bonapartës në shekullin XIX.

Pas zgjedhjeve të 23 prillit, Komuna e Mitrovicës së Veriut, e banuar me shumicë serbe, udhëhiqet nga Vetëvendosje. Serbët bojkotuan zgjedhjet në këtë komunë dhe në tri të tjerat në veri: Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan. Dhe vendimi i parë i autoriteteve të reja në Mitrovicë të Veriut ishte hapja e plotë e urës që ndan - dikur një qytet - Mitrovicën.

Kjo marrëveshje është një prej shumë që nuk kanë gjetur zbatim.