Naim Jakaj nga IKD ka thënë se funksionalizimi i trupave punuese të Kuvendit duhet të ndodhë vetëm pas formimit të Qeverisë së re dhe qartësimit të shumicës parlamentare, për të garantuar një proces transparent, ligjor dhe politikisht të paanshëm.
Ai ka theksuar se çdo tentativë për funksionalizimin e komisioneve në mungesë të një shumice të qartë parlamentare dhe pa një qeveri të formuar “rrezikon të shkelë parimin e rregullsisë procedurale dhe të ligjshmërisë”.
Kryesia e Kuvendit ka caktuar mbledhje për të enjten për funksionalizimin e komisioneve. Jakaj ka thënë se çdo vendim për themelim të komisioneve do të ishte proceduralisht i pasaktë.
“Kryetari i Kuvendit duhet ta ketë të qartë se, në parim, është e domosdoshme të pritet formimi i Qeverisë së re, në mënyrë që të dihet struktura e saj, numri dhe emrat e ministrive, për të përcaktuar më pas edhe strukturën dhe fushëveprimtarinë e komisioneve parlamentare. Pa këtë qartësi, çdo vendim për themelimin e komisioneve do të ishte jo vetëm proceduralisht i pasaktë, por edhe i rrezikshëm për legjitimitetin e Kuvendit”, ka shkruar ai në Facebook.
Jakaj ka kujtuar se dy komisione, ai për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe ai për Mbikëqyrjen e Financave Publike, i takojnë opozitës dhe meqë aktualisht nuk dihet qartë se kush përbën shumicën parlamentare dhe kush opozitën, krijon paqartësi dhe pengon ndarjen e drejtë të përgjegjësive në Kuvend.