Arbëri

Mamitë kërkojnë të rifunksionalizohen maternitetet dhe të rritet numri i tyre

Dita Ndërkombëtare e Mamive është shënuar edhe në Kosovës. Në këtë ditë mamitë kërkuan që të rritet numri i tyre në institucionet shëndetësore, si dhe shprehen nevojën për rifunksionalizimin e materniteteve në vendet më të thella.

Edhe në këtë ditë të shënuar u kujtuan dhe u nderuan me një minutë heshtje të gjithë profesionistët shëndetësorë që kanë humbur betejën me COVID-19.

Kryetarja e Shoqatës së Mamive të Kosovës, Magbule Elezi u shpreh se shërbimi i mamive është unik dhe shërben në mirëqenien e grave dhe fëmijëve.

Ajo shpreson që vitet e ardhshme të rritet numri i mamive në Kosovë si dhe të bëhet rifunksionalizimi i materniteteve sidomos në zonat rurale.

“Gjendja aktuale e mamive, sidomos e atyre nëpër vendet rurale dhe materniteteve në Kosovë, është shqetësim të cilin e kemi ngritur vite më parë në institucionet e larta shtetërore në mënyrë që këto maternitete të rifunksionalizohen dhe secila mami të ushtrojë profesionin e saj dhe t’ju dalë në ndihmë grave që kanë nevojë për shërbime gjinekologjike“, theksoi Elezi.

Kryetarja e SHMAK-ut u shpreh se kjo shoqatë promovon rolin e mamive në mirëqenien e nënës dhe fëmijëve dhe shëndetin riprodhues.

“SHMAK-si në anën tjetër bën promovimin e rolit të mamisë për rolin në mirëqenien e nënës dhe fëmijës dhe shëndetit riprodhues dhe synon vazhdimin e edukimit të vazhdueshëm profesional të mamive e cila konsiderohet si hallka e parë në shëndetësi e sidomos për gratë dhe familjet e tyre. Është nder që profesioni ynë lidhet drejtpërdrejtë me fillimin e jetës, mirëqenien e gruas të familjes dhe shoqërisë në tërësi. Sot sa jemi krenare jemi edhe të përgjegjshme për ushtrimin e profesionit tonë të cilën e bëjmë pa hezitim për të ndihmuar dhe ofruar shërbime grave që kanë nevojë“, tha ajo.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku u shpreh se Dita Ndërkombëtare e Mamive dëshmon rolin e tyre në sistemin shëndetësor.

Ajo tha se kjo ditë është moment për të promovuar dhe avancuar të drejtat e mamive.

Sipas saj, Ministria e Shëndetësisë rolin e mamive e sheh si kritik në përparimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës.

Ajo tha se në këtë drejtim përmes vizitave familjare po mundohen të identifikojnë në fazë të hershme problemet shëndetësore dhe adresimin e tyre.

“MSh e njeh rolin e mamive si kritik dhe mjaftë të rëndësishëm në përparimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës që është objektivi kryesor në politikat tona shëndetësore. Në këtë drejtim në kuadër të kujdesit parësor shëndetësor përmes vizitave mjekësore në shtëpi është duke u bërë ngritja e kapaciteteve për planifikim familjar, janë duke u zhvilluar trajnime dhe vizita me qëllim të identifikimit të hershëm të problemeve shëndetësore dhe adresimin e tyre”, u shpreh ajo.

Në kuadër të këtij aktiviteti për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Mamive është transmetuar edhe dokumentari “Një jetë për jetë“ si dhe janë mbajtur disa ligjërata për shëndetin seksuale dhe riprodhues./ksp/