Arbëri

LVV-ja e PDK-ja afër marrëveshjes për koalicion në Fushë-Kosovë

Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pritet të arrijnë marrëveshje për rrethin e dytë të votimit për kryetar të Komunës së Fushë-Kosovës. Kandidati i LVV-së, Enver Bajçinca, ka thënë se që para 17 tetorit kanë një marrëveshje në parim me ish-kandidatin e PDK- së, Rrahim Tërnava, që cilido që arrin në balotazh ta mbështesin njëri-tjetrin.

“Në balotazh presim mbështetje nga elektorati opozitar kundër një keqqeverisje 20-vjeçare në Fushë-Kosovë. Është një kauzë e përbashkët që ndryshimi të ndodhë. Kemi një marrëveshje në parim (me PDK-në v.j.) dhe është vullneti prej fillimi që ta mbështesim njëri-tjetrin kushdo që është në balotazh”, ka thënë për KOHËN, Enver Bajçinca.

Edhe kryetari i Degës së PDK-së në Fushë-Kosovës, Rrahim Tërnava, i cili ka qenë edhe kandidat për kryetar të kësaj komune, ka thënë se kanë pasur një dakordim ndërmjet tyre që ta mbështesin njëri-tjetrin cilido që kalon në rrethin e dytë të votimit.

“Qëllimi jonë është që ta largojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin në Komunën e Fushë- Kosovës, degradimin dhe keqqeverisjen që ka ndodhur për 20 vjet. Ne kemi pasur ofertë nga LDK-ja, por as që kemi pranuar të takohemi me ta, pavarësisht posteve që na janë ofruar. Ne duam ta largojmë të keqen që e ka mbërthyer qe 20 vjet komunën tonë”, ka theksuar Tërnava.

Në rrethin e parë të votimit më 17 tetor, kandidati i LDK-së, Burim Berisha, ka marrë 7 mijë e 966 vota (49.72%), i pasuar nga kandidati i LVV-së, Enver Bajçinca me 4 mijë e 98 (25.58%), i treti Rrahim Tërnava nga PDK me 3 mijë e 580 vota (22.35%) dhe i fundit Hasan Ismajli nga AAK me 377 vota (2.35%).

Zyrtarisht deri tash në këtë komunë është arritur marrëveshje ndërmjet LDK-së dhe AAK-së.