Zgjedhjet lokale

Fushë-Kosova, arenë marrëveshjesh për balotazh

Valon PRebreza - Besnik OSmani

Kandidatët për kryetar të Fushë-Kosovës janë mobilizuar me nënshkrimin e marrëveshjeve për balotazhin e 9 nëntorit.

Më 19 tetor, Valon Prebreza i Lëvizjes Vetëvendosje zyrtarizoi marrëveshjen me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. E dy ditë më pas, Besnik Osmani i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka njoftuar për marrëveshje me Nismën dhe Partinë Liberale Egjiptiane.

Prebreza i VV-së në raundin e parë ka marrë 45.20 për qind të votave apo 9714 vota. Osmani i LDK-së i ka marrë gati dy mijë vota më pak apo 36.58 për qind. Prebreza në një deklaratë për KosovaPress ka thënë se është i hapur për bashkëpunim me “partitë që kanë qenë kundër këtij pushteti”. Prebreza ka shprehur bindjen se do ta marrë edhe votën e mbështetësve të PDK-së duke e konsideruar “votë për ndryshim”.

E partia e tretë, Partia Demokratike e Kosovës që në garën për kryetar me Rrahim Tërnavën mori 3475 vota, ka njoftuar se po zhvillon bisedime me të dyja partinë.  Megjithatë, sipas tij, bisedimet nuk janë konkrete.

“Nuk ka marrëveshje dhe as nuk ka bisedime konkrete... bisedime kemi pas edhe me VV-në edhe me LDK-në. Normal që jemi këndej dhe nuk jemi parti që nuk bisedojmë me partitë politike… S’kam kushte. E kemi bërë një grup punues në kuadër të degës dhe është duke u marrë me çështjet teknike. Është duke biseduar me të dyja palët. Unë më pak jam duke u marrë. E kemi ngarkuar një grup punues me disa këshilltarë që është duke u marrë me të dyja partitë. Ata i zgjedhin edhe kushtet”, ka thënë ai.

LDK-ja ka qenë partia që ka udhëhequr me Fushë-Kosovën që nga paslufta. Deri tash kryetar ka qenë Burim Berisha që është tërhequr.