Arbëri

Lumi i ndotur e rrugët e pashtruara, shqetësimet e gjilanasve

Uji i lumit Stanishorka dikur përdorej për t’u larë në të, tani është shndërruar në një vend ku derdhen ujërat e zeza.

Përskaj lumit jeton një numër i madh i banorëve të Gjilanit, e të cilët po ankohen shumë nga erërat e rënda. Situata po rëndohet edhe nga mbeturinat e shumta që hidhen në të.

Sipas banorëve, më parë këtë ujë e përdornin edhe për pije.

“Unë si fëmijë e mbaj në mend se jemi la këtu, edhe kur i sillnim kafshët prej livadheve dhe u lanim së bashku me to në ujë. Ka qenë lumi i thellë dhe ka pasur shumë ujë, por me kalimin e kohës duke u mbushur me mbeturina edhe ujë s’ka më. Pra ka qenë shumë i pastër”, ka thënë një nga banorët e Gjilanit.

Përfundimi i kolektorit në Uglar, sipas tyre, do të ishte edhe zgjidhja e problemit.

Sylë Maloku ankohet edhe për mbeturinat e shumta, në mungesë të kontejnerëve të mjaftueshëm në qytet. Ai thotë se po dëmtohet shumë për shkak se kontejnerët janë të vendosur afër biznesit të tij dhe nuk po bëhet mbledhja e mbeturinave me kohë.

“Secili klient që vjen këtu na lavdëron për pastërtinë brenda objektin. Kemi raste që frikohen fëmija që mbushen këtu. Sidomos gjatë sezonit që kanë ardhur, janë ulur nëpër tavolina, çohen edhe kanë thënë na falni po s’po mundemi me qëndru këtu se paska erë”, ka shpjeguar ai.

Problem për banorët e Gjilanit po janë edhe rrugët e pashtruara.

Sipas Emrush Limanit, rruga “Idriz Seferi” që nga viti 2005 nuk është shtruar, megjithëse për të janë bërë kërkesa të shumta. Sipas Limanit, të gjitha rrugët përreth janë shtruar përveç dy rrugë në lagjen e tij.

“Prej 2005 jemi duke jetuar në këtë lagje. Kemi bërë kërkesa shumë herë. Është bërë matja e kësaj rruge 3 herë. Deri këtu i kanë shtruar të gjitha lagjet dhe kur janë ardhur këtu kanë thënë nuk kemi buxhet, pastaj na kanë kaluar dy rrugë dhe i kanë shtruar edhe dy të tjera. Nuk e di ku e morën buxhetin për dy rrugë tjera, e di që kanë dhënë para. 150 metra për një shtëpi”, ka thënë Limani.

Ndryshe, sipas Institutit GAP, në fillim të 2021 Gjykata Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë kundër drejtorit të urbanizimit të kësaj komune Bekim Bajrami i cili në një parcelë në Gjilan e quajtur “Livadhet e Arapit” ka dhënë leje për ndërtim të një ndërtese shumëkatëshe, por në fakt në atë parcelë kanë qenë e paraparë ndërtimi i një objekti publik.