Të mbushura me ujërat e zeza, qytetarët po jetojnë me erën e papërballueshme që kundërmon nga kanalizimi.
Kjo është gjendja e zakonshme e bodrumit të hyrjes me numër 58, në rrugën “Sylejman Vokshi”, në qendër të Prishtinës.
Përveç erës, problem të madh banorët kanë edhe me mushkonjat të cilat mblidhen për shkak të kësaj gjendjeje.
Sipas banorëve, sistemi i kanalizimit i ndërtuar dekada më parë nuk po e përballon numrin e shtuar të ndërtesave e as të kafeneve përreth.
Sipas Halil Sylejmanit, me një gjendje të tillë ata po përballen qe 13 vjet dhe ende komuna nuk ka bërë një zgjidhje për ta.
“Që nga viti 2010 është një katastrofë e jashtëzakonshme, kam kërkuar në vitin 2013 në Komunën e Prishtinës që të bëhen intervenime në këtë kanalizim, i cili është futur diku para 70 vjetëve dhe në kohën kur është përdorur ky kanalizim kanë qenë më pak banorë dhe nuk kanë qenë gjithë këto ndërtesa, madje edhe ndërtesat private janë kyçur pa leje. Bodrumi i këtyre ndërtesave janë me fekale. Në vitin 2013 i jam drejtuar komunës dhe kanë treguar se e kanë marrë kërkesën, por nuk është në plan të tyre intervenimi i një kanalizimi të ri. Unë nuk mund të kuptoj që nuk kanë projekt për këtë çështje, ose të bëhet një intervenim ose të bëhet një kanalizim i ri, i cili më duket se është i gjatë 120 metra katrorë”, tha Sylejmani.
Ai tregon se banorët janë të gatshëm të investojnë në ndërtimin e një kanalizimi të ri në ndërtesë, porse nuk po iu jepet leje nga komuna.
“Le të dalin ekspertët që i ka komuna dhe të incizohet dhe të tregojë nëse duhet të ndërrohet apo jo. Përndryshe le të ma jep autorizimin komuna mua dhe unë privat bashkë me banorët do ta ndërtojmë këtë kanalizim pa më penguar”, tha Sylejmani.
Për kundërmimin e madh dhe problemet e tjera që sjell ky kanalizim i bllokuar tregon edhe Enita Hyseni.
Zëdhënësja e K.R.U “Prishtina”, Arjeta Mjeku, fajtor për këtë bllokim lë kafenetë përreth të cilat hedhin kafenë dhe yndyrat ushqimore në këtë rrjet të kanalizimit.
“Në rastin në fjalë ekipi ka qenë dje dhe sot, sepse na kanë thirrur që ta zhbllokojmë. Problemi aty është sepse të gjitha restorantet dhe lokalet që janë aty pari po hedhin yndyrat dhe mbetjet ushqimore në rrjetin e kanalizimit dhe kjo është e ndaluar. Në momentin që hidhet në rrjetin e kanalizimit bëhet si dru. Prapë do të bëhet pastrimi, por ata qytetarë duhet të kontaktojnë edhe Komunën e Prishtinës në mënyrë që ata të bëjnë ndarjen e rrjetit të kanalizimit që bëjnë riciklimin apo përpunimin e yndyrave, sepse aty çka ne po bëjmë është një zgjidhje e përkohshme, po e dëmtojnë dhe nuk po lënë të funksionojnë”, tha Mjeku.
Drejtori i Investimeve Kapitale, Krenar Xhaferi, ka thënë se për këtë çështje ata pritet të dalin në terren gjatë ditës së sotme, në mënyrë që të shikohet nëse është problem i jashtëm apo i brendshëm.
“Kam biseduar me ujësjellësin dhe ata pritet që sot të dalin në terren dhe të shikojnë se ku është problemi, pra nëse është problem i brendshëm apo i jashtëm. Nëse është i brendshëm do ta rregullojë ujësjellësi, në rast se është i jashtëm, Komuna e Prishtinës do të ndërmarrë hapa që të sanohet ai problem”, tha Xhaferi.
Prishtina, në përgjithësi ka probleme të mëdha me rrjetin e kanalizimit. Për shkak të sistemit të dobët të tij, çdo herë gjatë reshjeve të mëdha kryeqyteti vërshohet nga uji.