Arbëri

Hyseni: Vërshimet po ndodhin edhe si pasojë e hedhjes së mbeturinave në lumenj

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar pas vërshimeve që kanë ndodhur në komunën e Gjilanit.

Sipas tij, vërshimet, përveç reshjeve, por shkaktohen edhe si pasojë e hedhjes së mbeturinave në lumin Stanishor.

“Pavarësisht masave preventive të ndërmarra në parandalimin e vërshimeve, për shkak të reshjeve të mëdha dhe bllokimit te shtratit të lumit nga mbeturinat, dje kemi pasur dalje të ujit nga shtrati i lumit Stanishor në disa lokalitete, ku uji ka depërtuar edhe në oborret e disa shtëpive dhe bodrumet e tyre”, ka shkruar Hyseni.

Sipas Hysenit, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe ekipi i Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, të mërkurën, që nga orët e hershme të mëngjesit kanë dalë në zonat të cilat janë prekur nga vërshimet dhe kanë intervenuar në pastrimin e disa pikave nga mbeturinat. “Me të marrë lajmin, kemi aktivizuar komisionin për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe ata janë në proces të shqyrtimit të dëmeve të shkaktuara”, ka thënë Hyseni.

Ai iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të mos hedhin mbeturina në shtretërit e lumenjve dhe hapësira publike, si pasojë e të cilave, sipas tij, po bllokohet rrjedha e ujit të lumenjve.

Image