Kryetari i Sindikatës së re në KEK, Nexhat Llumnica, ka thënë se secila parti politike që po hyn në pushtet, po tenton ta sjellë dikë të vetin në Korporatën Energjetike të Kosovës, andaj edhe po anulohen konkurset e shpallura në këtë korporatë.
Të martën në “Interaktiv” të KTV-së, Llumnica ka thënë se në KEK mungojnë edhe 1800 punëtorë, teksa mungesa theksohet në të gjitha departamentet.
“Në Korporatën Energjetike të Kosovës ende mungojnë 1800 punëtorë, pasi çdo vit pensionohen rreth 250 vetë dhe ky numër që ka ardhur, sadopak e lehtëson punën. Nuk është ripërtërirë stafi me kohë dhe mosha mesatare e punëtorëve të KEK-ut është rreth 58 vjet. Kemi pasur edhe konkurse të mëhershme për zjarrfikës dhe siç e keni parë janë anuluar, këto anulime gjithherë po na pengojnë në KEK dhe si pasojë e këtyre anulimeve të partive politike që secila që po vjen në pushtet, po mundohet ta bie dikë të vetin, nuk po ndodh siç duan dhe po anulohen”, ka thënë ai.
Llumnica ka shtuar se në konkurset e mëparshme për vende të punës, ka pasur mijëra aplikues, ndërsa tani numri i tyre është shumë më i vogël.
“Të gjitha departamentet, të tria divizionet, ai i Kosovës B, i Kosovës A dhe sidomos ai i prodhimit të qymyrit ka mungesë të jashtëzakonshme, ka mungesë të theksuar, ka mungesë të teknikëve dhe elektricistëve që sot kanë ardhur. Konkurset janë anuluar gjithherë. Në konkurset e vitit 2018-2019 kemi pasur rreth 7000-8000 aplikues për 100 vende të punës, sot nuk e kemi këtë numër, nuk e di saktësisht por nuk e kalon 1000-shin”, është shprehur ai.
Ai ka thënë se protesta e punëtorëve të KEK-ut do të ndodhë së shpejti me kërkesat për rritje page dhe për pagesat e punës në fundjavë.
“Kanë paralajmëruar të gjithë anëtarët tanë sindikalë që janë inxhinierë, kanë paralajmëruar se së shpejti do ta lirojnë vendin e punës në rast se nuk bëhet rritje e pagave, sepse paga e tyre është pagë e ulët. Protesta do të ndodhë sa më shpejt, kërkesa është për rritje të pagës, për pagesat e fundjavës për punëtorët me ndërrime – sepse kjo është vepër penale, nuk e di pse nuk merret me këtë çështje Prokuroria e Shtetit sepse është keqpërdorim i detyrës zyrtare”, ka theksuar ai.